Ron Raçi në formacionin e javës në Kroaci
R

Ron Raçi në formacionin e javës në Kroaci

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Ron Raçi, është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit kroat, pas një paraqitjeje mbresëlënëse me fanellën e Hajduk Split.

Mbrojtësi kosovar shkëlqeu në ndeshjen e fundit të kampionatit, duke qenë një nga lojtarët kyç në repartin defensiv të skuadrës së tij.

Performanca e tij e sigurt dhe vendimtare në mbrojtje u vlerësua me notën e lartë 7.9, çka i siguroi një vend në 11-shen më të mirë të javës.

Raçi u përzgjodh në formacionin ideal përkrah tre mbrojtësve të tjerë që gjithashtu patën paraqitje të dalluara: Cabraja, McKenna dhe Paviçiq, duke kompletuar kështu një repart mbrojtës mjaft solid për javën përkatëse në kampionatin kroat.

Ish-lojtari i FC Prishtina kontribuoi ndjeshëm në suksesin e skuadrës së tij, duke realizuar tri ndërhyrje të sakta dhe vendimtare, si dhe duke fituar tri duele në ajër dhe tri të tjera në tokë.

Për më tepër, ai bllokoi edhe një goditje të rrezikshme që po shkonte drejt portës, duke shmangur një mundësi të pastër shënimi për kundërshtarin.

Paraqitja e tij konfirmon formën e mirë që po kalon aktualisht dhe rrit pritshmëritë për angazhimet e ardhshme, si me klubin ashtu edhe me Kombëtaren e Kosovës. /AutoPortali

TË FUNDIT