SSC Napoli është fituesi i Superkupës së Italisë për herë të tretë në historinë e klubit, pasi mposhti Bolognan me rezultatin 2-0 në finalen e zhvilluar në “King Saud University Stadium” në Arabinë Saudite.
Protagonist absolut i ndeshjes ishte sulmuesi brazilian David Neres, autor i dy golave vendimtarë.
Pas triumfit ndaj AC Milanit në gjysmëfinale vetëm katër ditë më parë, skuadra e drejtuar nga Antonio Conte hyri në finale me besim të lartë dhe e konfirmoi këtë që në pjesën e parë, ku dominoi lojën dhe krijoi rastet më të rrezikshme.
Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 10-të, kur pasimi i Scott McTominay gjeti Eljif Elmasin në zonë, por mesfushori nuk arriti të mposhte portierin Milinkovic-Savic, duke dërguar topin jashtë shtyllës.
Napoli nuk u demoralizua dhe gjeti golin e avantazhit gjashtë minuta para përfundimit të pjesës së parë.
David Neres avancoi nga distanca dhe lëshoi një goditje të fuqishme me të majtën, e cila përfundoi në cepin e sipërm të portës, duke mos i lënë asnjë shans Federico Ravaglias.
Edhe në pjesën e dytë, Napoli u tregua i vëmendshëm dhe përfitoi nga gabimet e kundërshtarit.
Në minutën e 57-të, një pasim i gabuar i Ravaglias u ndërpre nga Neres, i cili me qetësi realizoi golin e dytë me një parabël elegante, duke vulosur fitoren.
Bologna u përpoq të reagojë në minutat e mbetura, por Napoli menaxhoi me maturi rezultatin, duke ruajtur avantazhin dhe duke mos lejuar rrezik serioz deri në fund të takimit.
Ky sukses i jep Antonio Contes Superkupën e gjashtë të Italisë në karrierë, tri si lojtar dhe tri si trajner, duke konfirmuar edhe një herë reputacionin e tij si një nga figurat më të mëdha të futbollit italian. /AutoPortali



