Një ngjarje tragjike ka ndodhur mesditën e së martës në Gjirin e Filikurit, në Vlorë, ku një turiste 23-vjeçare nga Holanda ka humbur jetën pasi ka rënë nga një shkëmb ndërsa po zbriste me litar drejt një plazhi pranë zonës së Potamit.
Sipas informacioneve paraprake, e reja ndodhej në një aktivitet të llojit “cliff descent” dhe po mbështetej nga shoku i saj, i cili në një moment nuk arriti ta mbante. Si pasojë, ajo ka rënë nga një lartësi rreth 30 metrash dhe ka pësuar dëmtime të rënda.
Policia Kufitare dhe shërbimet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar drejt mjekëve, por për fat të keq, ajo ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.
Nga ngjarja është plagosur edhe një turiste tjetër, një 18-vjeçare nga Franca, e cila ndodhej në afërsi dhe u godit nga gurët që rrëshqitën në momentin e aksidentit. Ajo është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa pritet të merren në pyetje dëshmitarët dhe personat që ndodheshin në vendngjarje në momentin e aksidentit. /AutoPortali



