Rritje 10 për qind e vizitorëve të huaj gjatë muajit gusht në Shqipëri
R

Rritje 10 për qind e vizitorëve të huaj gjatë muajit gusht në Shqipëri

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro tha sot se muaji gusht i këtij viti u mbyll me 10% më shumë vizitorë të huaj në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga diskutimet, në panelin e Konferencës së Ambasadorëve, “Diplo 2025”, Kumbaro i cilësoi turistët e huaj si “ambasadorë bio”, që promovojnë Shqipërinë gjatë gjithë kohës, raporton ATSH.

Kumbaro u shpreh se “Qeveria shqiptare është e vetmja në Evropë që politikisht ka bërë një zgjedhje shumë të veçantë, duke mbajtur turizmin dhe mjedisin për dy mandate rresht nën një çati”.

Sipas Kumbaros, mjedisi dhe turizmi nuk mund të konsiderohen si “armiq” apo si dy fusha të ndara, pasi nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm turistik pa një mbrojtje të mjedisit, përcjell AutoPortali.

“Nëse bota e konsideron turizmin dhe mjedisin si dy armiq, do të bëhen edhe më armiq dhe më pas kjo keqpërdoret në perceptim dhe instrumente politikë. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm pa mbrojtje të mjedisit. S’mund të kemi një turizëm nga një krah dhe mjedisin në anën tjetër. Shqipëria po ruan këtë ekuilibër me mjedisin sa që na është kthyer në instrument pozitiv edhe për turizmin”, tha Kumbaro.

“Të gjithë analizat e turizmit pas Covid, po flasin për profil të ri të turistit të 10-30 viteve që vijnë. Do të jetë turisti që sot është 30 vjeç dhe nesër do të jetë 40, 50, 60-vjeç dhe do të ketë fuqi ekonomike blerëse për të konsumuar turizëm si ekonomi e kënaqësisë. Ekonomia e kënaqësisë do të jetë e rëndësishme. Nëse deri dje kërkohej hoteli me 5 yje, ka internet, s’ka internet, a mund ta marr qenin me vete, sot po shtohet a konsumon energji të gjelbër apo energji fosile hoteli. A mund të udhëtoj me tren apo me makinë etj”, vijoi ajo.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “industria e turizmit po shkon në këtë drejtim prandaj është një zgjedhje që në 2017, qeveria e bëri me vizion largpamës”.

“Nëse në 2019, viti më i mirë para pandemisë ne mirëpritëm 6.5 milionë vizitorë të huaj. E mbyllëm gushtin me gati 9 milionë vizitorë të tillë. Gushti i këtij viti krahasuar me vitin e kaluar mirëpriti 10% më shumë vizitorë të huaj, ose 200 mijë. Na ka rezultuar gjatë këtyre katër viteve të vëzhguar, se ata kanë qenë të gjithë dhe janë ambasadorë shumë të mirë. Ata nuk e dinë se janë ambasadorë, sikurse e kemi ushqimin bio, edhe ata janë “ambasadorë bio”. Sot turizmi, i ka ambasadorët që kanë ardhur, shëtitur dhe shijuar natyrën. Atë produkt bio duhet ta promovojmë dhe mbajmë gjatë gjithë kohës”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u ndal edhe te disa shifra, për të kuptuar siç tha ajo, se si kanë ndryshuar tregjet turistike, dhe pse është rritur numri i turistëve të huaj në Shqipëri.

Sipas Kumbaros, “për gushtin, nga Brazili kemi pasur 16% më shumë turistë, nga Kili 18 % më shumë turistë dhe nga Meksika 11% më shumë për vitin 2025”.

TË FUNDIT