Rruga Breg Lumi-Theth, Beci: Rrit aksesin e vizitorëve për të përjetuar bukuritë
R

Rruga Breg Lumi-Theth, Beci: Rrit aksesin e vizitorëve për të përjetuar bukuritë

Turistët vendas e të huaj që vizitojnë Thethin, tashmë mund të përjetojnë bukuritë natyrore të kësaj zone përmes rrugës Breg Lumi – Theth.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo rrugë, duke theksuar se “ky është një tjetër segment rrugor që rrit aksesin e banorëve dhe vizitorëve për të përjetuar bukuritë natyrore të kësaj zone”.

Ky segment është pjesë e lotit të dytë të rrugës së Dukagjinit, ku janë kryer punime për zgjerimin e trasesë, nivelimin e terrenit dhe ndërtimin e mureve mbrojtëse, duke përmirësuar infrastrukturën dhe sigurinë përgjatë këtij aksi rrugor”, tha Beci.

Ndërtimi i rrugës së Dukagjinit do të ndikojë për zhvillimin ekonomik dhe turizmin e kësaj zone.

Thethi, pjesë e Alpeve Shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një pikë referimi për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në zemër të maleve.

Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 metrave, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas. Ndërsa fshati shtrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit, shkruan ATSH.

Thethi ka një histori 2800-vjeçare, ndërsa në vitin 1966 është shpallur Park Kombëtar.

TË FUNDIT