Ditët e para të muajit prill janë shënuar me një bilanc tragjik në trafikun rrugor në Kosovë, ku katër persona kanë humbur jetën në aksidente të ndryshme.
Më 5 prill, një përplasje mes një veture dhe një motoçiklete ka ndodhur në Llugë të Podujevës, ku tre persona kanë mbetur të lënduar. Njëri prej tyre, fatkeqësisht, ka ndërruar jetë disa ditë më vonë në QKUK.
Vetëm një ditë më pas, në Baicë të Drenasit është shënuar një tjetër aksident me fatalitet. Në përplasjen mes një kamioni dhe një veture, një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, raporton Klankosova.tv, përcjell AutoPortali.
Pak ditë më vonë, në Livoç të Ulët të Gjilanit, një i ri humbi jetën si pasojë e një aksidenti mes dy motoçikletave. Viktima ishte Arbnor Mehmeti, 24-vjeç, i cili ndërroi jetë në mënyrë tragjike.
Ndërkohë, aksident fatal është regjistruar edhe mëngjesin e sotëm në fshatin Dobrushë të Istogut, ku humbi jetën një 32-vjeçar.
Viktima, Enis Osmanaj, sipas policisë, dyshohet se duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka devijuar djathtas dhe është përplasur me një shtyllë betoni, raporton Klankosova.tv.
Këto raste tragjike janë një alarm për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të shtojnë kujdesin dhe përgjegjësinë gjatë vozitjes.



