Rubina Krasniqi është kampione e Kosovës për vitin 2025 në disiplinën karting sllallom. Anëtarja e Eurogoma Racing Team është shprehur e kënaqur me të arriturat e saj gjatë këtij viti.
“Ky vit ka qenë një nga vitet më të rëndësishme dhe më të suksesshëm për mua në autosport. Gjatë sezonit kam marrë pjesë në gara të shumta dhe kam arritur rezultate të shkëlqyera, duke shënuar fitore të rëndësishme që më kanë bërë krenare si sportiste”, ka thënë Rubina.
Dashuria për këtë sport duket se iu shtua pas pjesëmarrjes në FIA Motorsport Games 2024 në Valencia të Spanjës.
“Ndikim të veçantë pati edhe pjesëmarrja në Spanjë në Motorsport Game 2024, e cila më sfidoi dhe më dha përvojë të madhe garuese, duke ndikuar pozitivisht në performancën time gjatë gjithë vitit”, ka shtuar Krasniqi.
“Puna e vazhdueshme, përkushtimi i madh dhe mbështetja e madhe më çuan drejt titullit kampione për këtë vit, një arritje që më motivon fuqishëm për sfida edhe më të mëdha në të ardhmen. Ky sezon është dëshmi e rritjes sime si sportiste dhe pasionit tim për autosportin”.
Për të arritur deri këtu e për të synuar edhe shumë më tepër, Rubina ka punuar gjatë gjithë vitit.
“Kam marrë pjesë në garat e organizuara nga Hyperactive, ku kam arritur rezultate të mira dhe kam fituar përvojë të rëndësishme. Falënderoj sinqerisht stafin e Hyperactive për organizimin serioz, mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin korrekt gjatë gjithë sezonit. Ky përkushtim ka ndikuar drejtpërdrejt në arritjet e mia dhe më motivon për sfida edhe më të mëdha në të ardhmen”, ka thënë në fund Rubina Krasniqi, e cila synim kryesor e ka prezantimin e Kosovës në gara ndërkombëtare.



