Russell me kritikë të ashpër për Formula 1
R

Russell me kritikë të ashpër për Formula 1

I zhgënjyer pas Çmimit të Madh të SHBA-së, piloti i Mercedesit George Russell ka kritikuar drejtimin që ka marrë Formula 1, duke thënë për Sky Sports se suksesi në garë varet vetëm nga starti dhe jo nga vetë gara.

“Sot, gara në F1 zgjat vetëm deri në kthesën e parë. Nuk ka konsumim të gomave dhe diferenca mes makinës së parë dhe të gjashtës është vetëm tre të dhjetat. Duhet të kesh të paktën gjysmë sekonde më shumë për të bërë një parakalim”, tha Russell.

Në garën e fundit në Austin, ai përfundoi në vendin e gjashtë, të njëjtin pozicion nga i cili nisi, për shkak të një strategjie me vetëm një ndalesë.

Russell theksoi se mungesa e degradimit të gomave po e bën garën të parashikueshme dhe të mërzitshme.

“Nuk ka më ndryshime domethënëse mes llojeve të gomave. Duhet të kesh goma që i harxhon shpejt, që të krijojnë strategji të ndryshme dhe gara më interesante. Idealja do të ishte: goma të buta të zgjasin 12 xhiro, të mesmet 15 dhe të fortat 20,  pastaj të detyrohesh t’i ndërrosh”.

Ai nuk fajësoi drejtpërdrejt Pirellin (furnizuesin e gomave), por tha se problemi është më i thellë dhe kërkon ndryshime sistematike për ta bërë F1 më dinamike dhe me më shumë parakalime.

TË FUNDIT