Sa herë janë përballur Kosova me Zvicrën?
S

Sa herë janë përballur Kosova me Zvicrën?

Të martën (sonte) në orën 20:45, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë në qendër të vëmendjes së futbollit evropian, ku Kosova dhe Zvicra do të zhvillojnë përballjen e tyre të pestë zyrtare.

Ndeshja pritet me interes të jashtëzakonshëm, si për peshën e saj sportive, ashtu edhe për historinë e sfidave të mëparshme mes dy kombëtareve që kanë prodhuar emocione të forta dhe ndeshje gjithmonë të balancuara.

Deri tani, bilanci i takimeve është në favor të Zvicrës, një fitore për Helvetikët dhe tre barazime, ndërsa Kosova ende kërkon fitoren e parë historike ndaj rivalëve të saj të fuqishëm.

Përballjet e këtyre dy ekipeve janë karakterizuar nga tensioni, ritmi i lartë dhe gola që kanë mbajtur tifozët në ankth deri në minutat e fundit.

Sfida e parë mes Kosovës dhe Zvicrës u zhvillua më 29 mars 2022, në miqësoren në Zurich, ku Dardanët arritën një rezultat pozitiv 1:1, falë golit të Milot Rashicës, duke treguar vendosmëri dhe kualitet ndaj një prej skuadrave më të konsoliduara në Evropë.

Rivaliteti u thellua më tej gjatë kualifikimeve për Euro 2024, ku më 9 shtator 2023, në Prishtinë, Kosova zhvilloi njërën nga paraqitjet më të mira, duke barazuar 2:2 me dy gola të Vedat Muriqit.

Ndeshja e kthimit në Basel më 18 nëntor 2023 përfundoi 1:1, me Muhamet Hysenin që shënoi golin e barazimit dhe siguroi një pikë tjetër të rëndësishme.

Ndërkohë, sfida e fundit, e zhvilluar më 5 shtator 2025 në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, mbylli serinë e rezultateve pozitive për Kosovën, pasi Zvicra fitoi bindshëm 4:0, duke vërtetuar forcën dhe eksperiencën e saj.

Përballja e pestë sjell me vete një mundësi të madhe për Dardanët, fitoren e parë ndaj Zvicrës, një rezultat i tillë do të kishte vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për moralin e skuadrës, por edhe për statusin e saj ndërkombëtar, duke dërguar një mesazh se Kosova është e gatshme të rivalizojë me ekipet e niveleve më të larta.

Atmosfera në “Fadil Vokrri” pritet të jetë elektrizuese, tifozët kanë paralajmëruar mbështetje të pakursyer për ekipin, ndërsa Kosova synon të luajë me intensitet maksimal dhe të shfrytëzojë çdo detaj për të arritur një fitore historike ndaj Helvetikëve. /AutoPortali

TË FUNDIT