Kombëtarja e Kosovës në futboll mund të shkruajë historinë në muajin mars.
“Dardanët” do të luajnë për një biletë drejt Botërorit 2026, me synimin që fillimisht të eliminojnë Sllovakinë dhe më pas fituesen e çiftit Turqi–Rumani, për të siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në aktivitetin më prestigjioz të futbollit për kombëtare.
Përveç prestigjit sportiv që sjell një eveniment i tillë, për Kosovën është në lojë edhe një premio financiare shumë e rëndësishme.
Bëhet fjalë për një shpërblim që vjen drejtpërdrejt nga FIFA, e cila ka bërë të ditur se ka rritur ndjeshëm fondin që do t’u paguajë të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha të Katarit me rastin e finales së Kupës Interkontinentale, ka miratuar një pagesë rekord prej 10 milionë eurosh për çdo kombëtare që siguron pjesëmarrjen në Botërorin 2026.
Kjo është shifra më e lartë e akorduar ndonjëherë për ekipet përfaqësuese në një kompeticion të tillë. Po ashtu, janë rritur edhe shpërblimet për çdo fazë të kaluar në turne, duke arritur deri në 50 milionë euro shtesë për kombëtaren që shpallet Kampione e Botës. /AutoPortali



