Salah përballë vendimit të madh: të qëndrojë apo të largohet drejt Arabisë?
S

Salah përballë vendimit të madh: të qëndrojë apo të largohet drejt Arabisë?

Një lëvizje që deri vonë konsiderohej thuajse e pamundur, tani po merr formë gjithnjë e më konkrete.

E ardhmja e Mohamed Salahut te Liverpooli nuk duket më aq e sigurt, teksa interesimi i vazhdueshëm nga Arabia Saudite mund të finalizohet me një transferim të bujshëm gjatë verës.

Prej disa vitesh, klubet e Saudi Pro League kanë tentuar ta joshin yllin egjiptian me oferta marramendëse, por deri në fund të sezonit të kaluar ai shihej si figurë e paprekshme në “Anfield”.

Madje, pas një edicioni shumë të suksesshëm 2024–2025, Salah vendosi ta vazhdojë qëndrimin në Angli duke firmosur edhe një kontratë të re me “The Reds”.

Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm muajt e fundit. Një sezon zhgënjyes për Liverpoolin, i shoqëruar me paraqitje nën pritshmëri nga vetë sulmuesi, ka krijuar tensione brenda klubit.

Kulmi u arrit në dhjetor, kur Salah reagoi publikisht ndaj trajnerit pas vendimit për ta lënë në stol, një episod që u raportua gjerësisht nga mediat angleze.

Që prej asaj kohe, spekulimet për një largim të mundshëm në fund të sezonit aktual janë intensifikuar.

Edhe pse marrëdhëniet mes palëve thuhet se janë stabilizuar pas rikthimit të tij nga Kupa e Afrikës së Kombeve, periudhë gjatë së cilës ai rifitoi vendin e titullarit, ngjarjet e dhjetorit nuk janë harruar plotësisht.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se përfaqësuesi i lojtarit është në bisedime me Al Ittihad, një nga klubet më ambicioze në Arabinë Saudite.

Ndryshe nga vera e kaluar, këtë herë Salah duket më i hapur ndaj një aventure të re në Lindjen e Mesme, duke e konsideruar seriozisht mundësinë e largimit nga Premierliga.

Një transferim i tillë mund të rezultojë i favorshëm për të gjitha palët e përfshira.

Liverpooli do të kishte mundësinë të arkëtonte një shumë të konsiderueshme nga shitja e kartonit të një lojtari që po i afrohet fazës së fundit të kontratës, ndërsa Salah do të përfitonte një sfidë të re dhe një kontratë potencialisht shumë të majme jashtë futbollit anglez.

Nga ana tjetër, Al Ittihad është në kërkim të një goditjeje të madhe në treg për ta ruajtur statusin konkurrues.

Klubi ka pësuar largime të rëndësishme, me Karim Benzeman që është transferuar te Al Hilal dhe N’Golo Kantén që ka vazhduar karrierën te Fenerbahçe.

Fabinho ndodhet në përfundim të kontratës, ndërsa edhe Moussa Diaby është përfolur për një kalim të mundshëm te Interi.

Në këtë kontekst, afrimi i Mohamed Salahut do të përbënte një përforcim strategjik dhe një deklaratë të fortë ambicieje nga Al Ittihad, duke e kthyer klubin në një nga pretendentët kryesorë në kampionatin saudit. /AutoPortali

TË FUNDIT