Schumacher i revoltuar nga kërcënimet me vdekje
S

Schumacher i revoltuar nga kërcënimet me vdekje

Ralf Schumacher, ish-pilot i Formulës 1 dhe vëllai i Michael Schumacher, ka kërkuar masa ligjore pas rritjes së kërcënimeve dhe ngacmimeve në rrjetet sociale. Ai dënoi ashpër fansat që dërgojnë kërcënime me vdekje ndaj pilotëve, duke e quajtur situatën “të trishtueshme dhe të turpshme”.

Reagimi vjen pas sulmeve online ndaj Esteban Ocon, pilot i Haas, pas përplasjes me Franco Colapinto nga Alpine në Çmimin e Madh të Kinës. Edhe pse Ocon mori përgjegjësinë dhe kërkoi falje, ai dhe ekipi i tij u bënë objekt i mesazheve të urrejtjes, përfshirë kërcënime me vdekje.

Agjencia e Colapinto-s bëri thirrje publike që të ndalen sulmet: “Mos dërgoni urrejtje apo kërcënime ndaj Esteban-it, familjes apo ekipit të tij. Kjo nuk ndryshon incidentin dhe dëmton imazhin e fansave”.

Schumacher reagoi ashpër në podkastin “Backstage Pit Lane”: “Kjo nuk ka vend në Formula 1. Dhuna dhe nxitja e saj në internet nuk duhet të ekzistojnë askund dhe duhet të ketë pasoja ligjore për këto veprime”.

Ai kritikoi edhe sjelljen e disa fansave të Colapinto-s, duke theksuar se fyerjet dhe kërcënimet janë bërë të shpeshta online. Ndërkohë, ky nuk është rast i izoluar: edhe Jack Doohan ka zbuluar se ka marrë kërcënime serioze, duke u detyruar të kërkojë ndërhyrjen e policisë.

TË FUNDIT