Sezoni veror, hapen aplikimet për stacionet e plazhit
S

Sezoni veror, hapen aplikimet për stacionet e plazhit

Të gjitha bizneset që disponojnë strukturë akomoduese para ose pranë hapësirës së plazhit nga sot mund të aplikojnë në portalin e-Albania.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “për herë të parë, kjo mundësi ofrohet edhe për strukturat e shërbimit në plazhet përjashtimore”, raporton ATSH, përcjell AutoPortali.

Gonxhja i bën apel bizneseve të aplikojnë në portalin e-Albania duke zgjedhur shërbimin kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi.

Sipas tij, për çdo stacion plazhi kërkohet vetëm 1 aplikim dhe përgjigja merret elektronikisht brenda 30 ditëve.
Shërbimi elektronik “Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi” u mundëson subjekteve që disponojnë strukturë akomoduese para dhe në afërsi me hapësirën e plazhit strukturë shërbimi në plazhet përjashtimore, për bashkinë Fier, bashkinë Divjakë, bashkinë Pogradec, për plazhin Zvërnec, Plazhi i Vjetër, bashkia Vlorë, plazhet Spille, Vilë-Bashtovë, bashkia Rrogozhinë, plazhet Shetaj, plazhi i Gjirit të Lalzit, plazhi Hamallaj, plazhi i Katundit të Ri, plazhi Porto-Romano 1, plazhi Currila 1, plazhi Currila 2, plazhi Currila 3, plazhi Currila 4, plazhi Currila 5, Bashkia Durrës, plazhet Borsh, Llaman, plazhi Lukovë 2, plazhi Maraçi, bashkia Himarë, plazhi i Rrjollit, bashkia Shkodër, në stacionet e plazhit,, të bëjnë kërkesë online për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, në përputhje me VKM “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, të ndryshuar.
Kontrata për dhënien në përdorim të hapësirës së plazhit për ushtrimin e veprimtarisë stacion plazhi bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) dhe nënshkruhet me afat nga 1  deri në 5 vjet, sipas vendimmarrjes të Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik.
Periudha, brenda të cilës ushtrohet veprimtaria e stacionit të plazhit, është nga 1 maj deri më 15 nëntor të çdo viti dhe kur subjekti ushtron veprimtarinë ofron të gjitha shërbimet dhe përmbushen të gjitha kushtet minimale, të përcaktuara në bazë të tipologjisë së plazhit ku do të ushtrohet aktiviteti.

TË FUNDIT