Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka dalë me një njoftim zyrtar për ndeshjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Anglisë, e cila do të zhvillohet këtë të diel në “Air Albania Stadium”.
Sipas FSHF-së, të gjitha biletat janë shitur, çka tregon interesimin e jashtëzakonshëm të tifozëve shqiptarë për të mbështetur Kombëtaren në një nga ndeshjet më të rëndësishme për Kombëtaren Kuq e Zi.

Në njoftim theksohet se atmosfera pritet të jetë elektrizuese, me stadiumin që do të jetë i mbushur plot Kuq e Zi.
Institucioni më i lartë i futbollit shqiptar ka falënderuar tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe ka bërë thirrje për respektim të rregullave të sigurisë dhe hyrjes në kohë në stadium, për të shmangur radhët dhe vonesat.
“Air Albania” pritet të shndërrohet në një det kuqezi, ku mbështetja e tifozëve do të jetë forca shtesë e djemve të Sylvinhos.
Të gjithë sytë do të jenë të kthyer nga Tirana, ndërsa ndeshja do të nisë në orën 18:00. /AutoPortali



