Shkëndija e Tetovës do të përballet të martën në orën 18:00 me Qarabagun në Baku të Azerbajxhanit, në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Pas humbjes minimale 1:0 në sfidën e parë në Shkup, skuadra shqiptare kërkon përmbysjen dhe kualifikimin historik në “play-off”-in e kompeticionit më të madh evropian për klube.
Ekipi ka zhvilluar përgatitjet e fundit të hënën në mbrëmje në stadiumin ku do të luhet ndeshja. Edhe pse kanë siguruar tashmë një vend në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ambicia e Shkëndijës është më e madhe – të arrijë sa më lart, në Champions apo së paku në Ligën e Evropës, shkruan AutoPortali.
Në rast të eliminimit të Qarabagut, Shkëndija do të vazhdojë në “play-off” të Ligës së Kampioneve. Ndërsa nëse humb përsëri, rruga e tyre do të vazhdojë në “play-off”-in e Ligës së Evropës. Në të dyja rastet, kundërshtari i mundshëm është fituesi i përballjes Ludogorets – Ferencvaros.




