Shërbimi i Zjarrit dhe Shpëtimit i Izraelit ka thënë se disa komunitete janë duke u evakuuar për shkak të përhapjes së zjarreve në të paktën pesë vende në kodrat e Jerusalemit.
Komunitetet Neveh Shalom, Beko’a, Ta’oz, Nachshon dhe Mesilat Tzion janë evakuuar bashkë me memorialin ushtarak në Latrun dhe manastirin afër tij, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Shërbimi për shpëtim tha se 63 ekipe, 11 aeroplanë e dy helikopterë po përdoren në luftën kundër flakëve, të cilat po forcohen nga era e fortë.
Ky shërbim ka zbatuar thirrje të përgjithshme të pjesëtarëve në zonën e Jerusalemit.
Raportohet se zjarrfikësit janë duke luftuar një zjarr të ri që shpërtheu afër qytetit Beit Shemesh dhe po mundohen që ta parandalojnë arritjen e tij te shtëpitë.
Zjarri nisi në një zonë të hapur afër lagjes Ramat Beit Shemesh Bet.
Ministrja e Transportit, Miri Regev, njoftoi se do ta anulojë ceremoninë e ndezjes së pishtarit për Ditën e Pavarësisë të mërkurën në mbrëmje në Jerusalem për shkak të erës së fortë dhe zjarreve në natyrë.
“Sapo përfundova një vlerësim të situatës me zyrtarët e sigurisë. Ka potencial për dëm dhe rrezik serioz ndaj jetës njerëzore. Vendimi im është pa mëdyshje, që të mos ketë asnjë rrezik” – tha ministrja izraelite.
Disa pjesëmarrës në trafik u detyruan që t’i braktisnin automjetet e tyre dhe të iknin në këmbë, pasi zjarri iu afrua Rrugës 1 mes Jerusalemit e Tel-Avivit.
Në një video të publikuar në rrjete sociale shihen dhjetëra njerëz duke ikur nga vendi i ngjarjes, përderisa flakët shiheshin në të dyja anët e rrugës./Nacionale



