Shqipëria tashmë është bërë një emër i njohur në hartën ndërkombëtare të turizmit, dhe kjo falë gjithnjë e më shumë atraksioneve të reja që po i shtohen destinacioneve të saj më të vizituara. Një prej tyre është linja ajrore “ZipLine” në Theth, e cila prej një viti u ka sjellë udhëtarëve një përvojë të re plot emocione dhe adrenalinë, përcjell AutoPortali.
E vendosur në zemër të Alpeve shqiptare, kjo atraksion unik u jep vizitorëve mundësinë të shijojnë jo vetëm pamje mbresëlënëse, por edhe një eksperiencë dinamike që e bën vizitën në Theth të paharrueshme.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga kjo aventurë, duke theksuar se ZipLine ka sjellë një dimension të ri në ofertën turistike të zonës.
Përmes kësaj risie, Thethi jo vetëm që tërheq më shumë turistë, por edhe fiton një mundësi të vlefshme për promovimin e natyrës së virgjër dhe peizazheve të tij mahnitëse.
Parku Kombëtar i Thethit, i vendosur rreth 70 kilometra larg qytetit të Shkodrës, është një destinacion që mund të vizitohet në çdo stinë të vitit – gjallëria e pranverës dhe verës, dimri me borën dhe aktivitetet e tij të veçanta, si dhe ngjyrat e pasura të vjeshtës e bëjnë këtë zonë një perlë të turizmit malor shqiptar. /AutoPortali/



