Kombëtarja Shqipërisë do të zhvillojë sonte ndeshjen e radhës për muajin tetor, ku do të përballet me përfaqësuesen e Jordanisë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Kjo sfidë vjen pas fitores së madhe që Shqipëria arriti ndaj Serbisë të shtunën, një rezultat që ka rritur ndjeshëm moralin dhe pritshmëritë te tifozët kuqezi.
Kjo do të jetë hera e dytë që Shqipëria përballet me Jordaninë, ndeshja e parë mes tyre u zhvillua në vitin 2018 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe përfundoi me rezultat të barabartë 0-0.
Tani, pas gjashtë vitesh, dy kombëtaret rikthehen për një tjetër test miqësor.
Jordanisë i duhet kushtuar vëmendje e veçantë, pasi është një nga 22 përfaqësueset që tashmë kanë siguruar kualifikimin për Kampionatin Botëror që zhvillohet vitin e ardhshëm.
Kjo e bën ndeshjen një test të mirë për trajnerin dhe lojtarët kuqezinj, të cilët duan të ruajnë formën pozitive dhe të vazhdojnë ndërtimin e një skuadre konkurruese.
Takimi mes Shqipërisë dhe Jordanisë do të luhet sonte duke nisur nga ora 19:00 dhe pritet të sjellë një atmosferë të ngrohtë në kryeqytet, me tifozët që do të jenë sërish në mbështetje të ekipit kombëtar. /AutoPortali