Kombëtarja e Shqipërisë është kualifikuar zyrtarisht në play-offin e Kampionatit Botëror 2026, falë një fitoreje të rëndësishme në transfertë kundër Andorrës me rezultatin 0-1, ndërsa në të njëjtën kohë Anglia mposhti Serbinë si nikoqire.
Kuqezinjtë dominuan lojën gjatë gjithë ndeshjes, por pjesa e parë u karakterizua nga mungesa e konkretizimit.
Shqipëria krijoi disa aksione të rrezikshme, ndërsa momenti më i afërt me golin erdhi pas goditjes së Berat Gjimshitit, i cili tronditi traversën pas një harkimi nga këndi.
Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë me aktivizimin e Myrto Uzunit dhe Nedim Bajramit, të cilët sollën dinamizëm dhe kreativitet në fazën ofensive.
Të dy u shndërruan në protagonistë të golit vendimtar: Bajrami kombinoi bukur me Uzunin, i cili e asistoi në mënyrë perfekte Kristjan Asllanin.
Mesfushori i Interit lëshoi një goditje të fuqishme, duke e zhbllokuar rezultatin dhe duke i dhënë Shqipërisë avantazhin e merituar.
Pas golit, skuadra e trajnerit Silvinho menaxhoi me maturi pjesën e mbetur të ndeshjes, duke ruajtur rezultatin dhe duke shtuar disa tentativa të tjera në kundërsulm, ndërsa mbeti e përqendruar në aspektin defansiv.
Me këtë triumf, Shqipëria arrin në 14 pikë, duke krijuar një avantazh prej katër pikësh ndaj Serbisë.
Kjo do të thotë se, pavarësisht rezultatit në ndeshjen e fundit kundër Anglisë në “Air Albania”, kuqezinjtë e kanë të garantuar vendin e dytë dhe pjesëmarrjen në play-off.
Shorti për play-offin e Botërorit do të hidhet më 21 nëntor, ku Shqipëria do të jetë e pozicionuar në vazon e tretë.



