Shteti rrezikon jetën e përdoruesve të makinave në Shqipëri?
S

Shteti rrezikon jetën e përdoruesve të makinave në Shqipëri?

“Pak ditë më parë, një shqiptar i Kosovës, i cili kishte lindur, rritur dhe edukuar në Gjermani dhe i diplomuar si inxhinier rrugësh në një pozicion shumë të rëndësishëm në sinjalistikën rrugore në Gjermani, më çoi një mesazh tronditës. Ai kishte udhëtuar në Shqipëri gjatë verës dhe ishte rikthyer sërish këtë fillim vere. Dhe më tha që rruga nga Elbasani për në Rrogozhinë e kishte detyruar të shihte që ndryshimi i sinjalistikës ishte gati dy tabela për çdo kilometër. Gjashtë shpejtësi të ndryshme, në 38 kilometra, 65 tabela sinjalizuese. Është skandaloze”, u shpreh gazetari Blendi Fevziu.

Bëhet fjalë për aksin Elbasan-Rrogozhinë, një rrugë me qarkullim të lartë të mjeteve, por edhe me një problem serioz: vendosja e gabuar e tabelave të shpejtësisë.

“Shpejtësia ndryshon nga 80 km për orë në 60 km për orë ose 50 në 20, si në këtë rast, brenda pak metrave. Ky ndryshim i menjëhershëm, sipas ekspertit të sigurisë rrugore Mamir Hodo, shkakton konfuzion, frenime të papritura, ndëshkime të padrejta si dhe rrit rrezikun për aksidente”, raporton gazetarja e TV Klan, Dorina Halili, transmeton AutoPortali.

“Drejtuesi i mjetit shpërqendrohet, nervozohet dhe mund të sjellë edhe pasoja në trafik për jetën dhe sigurinë e shtetasve”, thotë Hodo

Sipas ekspertit, sinjalistika vertikale është indikatori kryesor për garantimin e sigurisë rrugore, prandaj duhet të jetë e qartë, në kohë dhe proporcionale, në mënyrë që drejtuesi i mjetit të ketë mundësi të reagojë dhe të shmangë rreziqet.

“Ky është shqetësim i përsëritur nga ana jonë për ekzistencën në përputhje jo të plotë me normat e Kodit Rrugor, pasi ky nuk është koherent dhe nuk e përcjell sinjalizimin apo paralajmërimin e duhur në formë progresive.”

Sipas Hodos, është e nevojshme të bëhet një auditim teknik në një pjesë të mirë të rrugëve të vendit për të garantuar kështu sigurinë e drejtuesve të mjeteve, por edhe këmbësorëve.

“Kërkon një impenjim të Entit Pronar të Rrugës, që duhet të na kontaktojë ne si specialistë të kësaj fushe, të sigurisë rrugore dhe si auditues e inspektues.”

Vetëm në këtë segment janë 65 tabela me 6 shpejtësi të ndryshme, nga 20 deri në 80 kilometra. Ekspertët e policisë rrugore, thonë jashtë kamerave, se ky ndryshim i shpeshtë i shpejtësisë përmes sinjalistikës përbën problem për sigurinë rrugore, por shpjegojnë se sinjalistika nuk vendoset prej tyre.

Derisa situata të ndryshojë, drejtuesit e mjeteve mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve që shkakton kjo amulli, e krijuar nga ndryshimi i shpeshtë i shpejtësisë, nga një tabelë në tjetrën.

TË FUNDIT