Pushimet e lira nuk janë të pamundura, edhe kur vendimi merret vetëm disa ditë më parë.
Ekspertët e udhëtimeve thonë se fleksibiliteti, zgjedhja e transportit alternativ dhe rezervimet e minutës së fundit për hotele mund të kthejnë një fundjavë pa plan në një arratisje të përballueshme.
Zakonisht, biletat e avionëve janë pjesa më e kushtueshme dhe më e vështirë për t’u siguruar në moment të fundit, pasi çmimet rriten afër datës së fluturimit, shkruan BBC, transmeton AutoPortali.
Megjithatë, sipas Jesse Neugarten, themelues i Dollar Flight Club, fleksibiliteti është “superfuqia” e udhëtimeve të tilla. Lënia hapur e destinacionit, datës dhe orarit rrit shanset për oferta të mira.
Platforma si Google Travel apo KAYAK ofrojnë opsione për kërkime “kudo”, duke të çuar ndoshta në Cartagena në vend të Caprit por duke hapur mundësi të reja eksplorimi. Ekspertët rekomandojnë gjithashtu ditë me trafik të ulët, si të mërkurën ose të enjten.
Një alternativë më e lirë është shmangia e avionit. Udhëtimet me autobus apo rrugëtimet e shkurtra pranë shtëpisë janë zgjidhje praktike për arratisje të shpejta.
Matt Schoolfield nga Flixbus thotë se edhe një ose dy ditë para nisjes, çmimet e autobusëve mbeten dukshëm më të ulëta se fluturimet.
Në disa raste, udhëtimi me autobus nga qendra në qendër qyteti rezulton më i shpejtë dhe më pak stresues se fluturimi, duke ofruar gjithashtu më shumë hapësirë, Wi-Fi dhe ruajtje bagazhesh falas.
Sa i përket akomodimit, rezervimet e minutës së fundit mund të jenë madje më të leverdishme.
Ndryshe nga linjat ajrore, hotelet shpesh preferojnë të ulin çmimet për të mos lënë dhomat bosh, veçanërisht në qytetet e mëdha ose jashtë sezonit.
Aplikacione si HotelTonight dhe Hopper ndihmojnë në gjetjen e këtyre uljeve, ndërsa një telefonatë direkte në hotel mund të sigurojë çmime të fshehta. Rezervimet në mesjavë rrisin gjasat për më shumë opsione dhe kursime.
Ekspertët theksojnë se udhëtimet e tilla kërkojnë mendje të hapur: sa më shumë të hiqet dorë nga kontrolli dhe të lihet fleksibiliteti të diktojë rrugëtimin, aq më e lehtë bëhet të shijosh pushimet e minutës së fundit ku i vetmi stres mbetet paketimi. /AutoPortali