“Si Viaggia” rendit Sarandën mes perlave të Mesdheut për pushimet e qershorit

“Si Viaggia” rendit Sarandën mes perlave të Mesdheut për pushimet e qershorit

Nga ishujt magjepsës të Greqisë deri te brigjet e egra të Atlantikut, qershori është një nga periudhat më të mira, për të shijuar pushimet pranë detit, shkruan Flavia Cantini në një artikull të botuar në median italiane “Si Viaggia”.

Temperaturat janë tipike verore, deti fillon të ngrohet dhe plazhet mbeten ende larg fluksit të madh të turistëve që karakterizon korrikun dhe gushtin.

Kjo e bën qershorin një nga periudhat më të mira për të shijuar bregdetin, me më shumë qetësi, çmime më të favorshme dhe një atmosferë më relaksuese.

Ekspertët e udhëtimit kanë përzgjedhur gjashtë destinacionet më tërheqëse për pushime buzë detit në qershor.

Saranda, perla me ujëra bruz e Rivierës Shqiptare

Vitet e fundit, Saranda është shndërruar në një nga destinacionet më të kërkuara bregdetare në Ballkan.

E njohur për detin e kristaltë, ngjyrat mahnitëse bruz dhe çmimet ende konkurruese krahasuar me shumë destinacione mesdhetare, Saranda ofron një kombinim ideal mes natyrës dhe atmosferës turistike.

Qershori është koha perfekte për ta vizituar. Plazhet janë të gjalla, por jo të mbipopulluara, ndërsa qyteti ruan një ritëm të qetë dhe relaksues.

Ujërat e pastra dhe transparente krijojnë peizazhe, që në ditët më të bukura, të kujtojnë destinacionet tropikale.

Nga Saranda mund të eksploroni lehtësisht disa prej plazheve më spektakolare të bregdetit shqiptar.

Ksamili mahnit me ujërat e tij të kthjellëta dhe ngjyrat që ngjasojnë me Karaibet, ndërsa Plazhi i Pulebardhës ofron një atmosferë më të egër, me guralecë të bardhë dhe det të kristaltë.

Përtej plazheve, Saranda tërheq vizitorët edhe me shëtitoren buzë detit, restorantet me produkte të freskëta deti, baret elegante dhe jetën e gjallë pas perëndimit të diellit.

Destinacionet ideale për pushime në qershor

* Saranda – Një nga surprizat më të bukura të Mesdheut, me detin bruz dhe atmosferën relaksuese.

* Amorgos – Ishulli grek me plazhe të virgjëra, ujëra të thella blu dhe peizazhe autentike mesdhetare.

* Kepi i Gjelbër (Cape Verde) – Destinacion ideal për ata që kërkojnë diell dhe plazhe gjatë gjithë vitit

* Menorca – Ishulli më i qetë i Balearëve, i njohur për gjiret e fshehura dhe natyrën e paprekur.

* Riviera Franceze – Elegancë, plazhe të bukura dhe qytete plot hijeshi në jug të Francës.

* Dugi Otok – Ishulli kroat i famshëm për plazhet me pamje tropikale dhe ujërat e kristalta.

Qershori mbetet një nga muajt më të favorshëm për t’i zbuluar këto destinacione, kur moti është ideal, deti ju fton për not dhe peizazhet mund të shijohen pa rrëmujën e pikut të sezonit veror./ATSH/

TË FUNDIT