Në kuadër të përpjekjeve për të garantuar rendin dhe sigurinë në rrugët e Tiranës, Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në të gjithë qarkun gjatë javës së fundit. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë ndërmarrë masa të rrepta ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas të dhënave zyrtare, 21 drejtues mjetesh janë proceduar penalisht për parkim të gabuar në rrugë apo në korsitë e dedikuara për emergjenca, biçikletat, këmbësorët, transportin publik dhe stacionet e autobusëve. Gjithashtu, 60 automjete janë bllokuar dhe tërhequr me mjete ngritëse, ndërsa 45 shtetas janë arrestuar ose proceduar për vepra të ndryshme penale gjatë kontrolleve të kryera, shkruan AutoPortali.
Policia Rrugore e Tiranës shprehet se do të vijojë me këto kontrolle intensive pa tolerancë ndaj shkelësve, duke kërkuar nga qytetarët respektimin e rregullave të qarkullimit dhe të hapësirave publike për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe funksional.
Apeli i policisë është i qartë: respekti ndaj rregullave rrugore është domosdoshmëri për garantimin e rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve në rrugët e kryeqytetit.



