Skualifikohet ukrainasi për kaskën e tij! “Do t’i drejtohem dhe do të bëj apel në CAS”
S

Skualifikohet ukrainasi për kaskën e tij! “Do t’i drejtohem dhe do të bëj apel në CAS”

Vladyslav Heraskevych, atleti ukrainas i skeletit, është skualifikuar nga Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026” për shkak të mosmarrëveshjes me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) mbi kaskën e tij të garës.

Heraskevych kishte vendosur të mbante në kaskë disa fytyra të viktimave ukrainase nga lufta me Rusinë, një mesazh që bie ndesh me rregulloret e IOC-së për demonstrime politike brenda ambienteve olimpike.

Vendimi u mor nga juria e Federatës Ndërkombëtare të Bobsleigh dhe Skeletit (IBSF), e cila argumentoi se kaska e Heraskevych nuk përputhej me rregulloret e garës.

Si pasojë, IOC-ja vendosi “me keqardhje” të heqë akreditimin e tij për Lojërat Olimpike “Milano-Cortina 2026”.

Vetë IOC-ja i kishte ofruar një kompromis, duke propozuar një shirit të zi në kaskë, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për ukrainasin.

Presidentja e IOC-së, Kirsty Coventry, u takua personalisht me Heraskevych këtë mëngjes, rreth 75 minuta para fillimit të garës së skeleton për meshkuj, për të diskutuar situatën.

Megjithatë, Heraskevych nuk pranoi të ndryshonte qëndrimin e tij.

“Nuk ka të bëjë me mesazhet që ai mbart, por me respektimin e rregullave dhe rregulloreve”, tha Coventry. “Gjatë garës duhet të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë atletët. Për fat të keq, nuk mundëm të gjenim një zgjidhje. Do të doja shumë ta shihja të garonte, por kjo nuk ishte e mundur.”

Heraskevych nuk dorëzohet: “Unë besoj se duhet të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona. Që nga dita e parë e kam thënë se nuk pajtohem me vendimin e IOC-së. Shpresoj të paraqesim një apel në CAS dhe të mbrojmë të drejtat tona”, deklaroi ai.

Vendimi ka shkaktuar debat mbi kufizimet e mesazheve personale dhe politike brenda arenës olimpike, ndërsa Heraskevych mbetet i vendosur të luftojë për të drejtat e tij, duke e vendosur çështjen në një fazë apelimi ndërkombëtar. /AutoPortali

TË FUNDIT