Sonte Kosova përballet me Suedinë
S

Sonte Kosova përballet me Suedinë

Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në fushë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku do të përballet me Suedinë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Pas humbjes së rëndë 4-0 ndaj Zvicrës, Dardanët kërkojnë të reagojnë dhe të tregojnë një paraqitje më të mirë ndaj skuadrës skandinave.

Edhe pse disfatat lënë gjurmë, atmosfera në kampin e Kosovës mbetet pozitive dhe lojtarët janë të motivuar për të dhënë më të mirën.

Megjithatë, trajneri Franco Foda do të ketë mungesa të rëndësishme për këtë sfidë. Edon Zhegrova, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani nuk janë të gatshëm për të luajtur, me këtë të fundit që pësoi lëndim në ndeshjen kundër Zvicrës.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri gjerman u shpreh i bindur se ekipi do të reagojë më mirë. Ai theksoi se është bërë një analizë e thellë e ndeshjes së kaluar dhe se skuadra është përgatitur për të shmangur gabimet.

“Jemi të vetëdijshëm që Zvicra është një kundërshtar i fortë dhe nuk arritëm të zbatojmë lojën tonë, veçanërisht në pjesën e parë. Megjithatë, në pjesën e dytë pati përmirësim. Kundër Suedisë pres që të luajmë më mirë. Jemi në shtëpi dhe do të bëjmë çmos për të kënaqur tifozët tanë, sikurse në ndeshjet e mëparshme që kemi fituar,” u shpreh Foda.

Ai shtoi se Suedia ka një ekip cilësor dhe është favorite në letër, por për të është më e rëndësishme që Kosova të tregojë fytyrën e saj të vërtetë dhe të paraqitet denjësisht.

Ndeshja mes Kosovës dhe Suedisë do të luhet sonte nga ora 20:45.

TË FUNDIT