Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur para mediave në prag të sfidës së rëndësishme në transfertë ndaj Fiorentinës, duke theksuar se skuadra e tij duhet të jetë e përgatitur për një atmosferë të zjarrtë dhe një kundërshtar maksimalisht të motivuar.
Spalletti u shpreh se e njeh shumë mirë qytetin e Firences, por tani fokusi i tij është vetëm Juventusi dhe kërkesa ndaj lojtarëve për një paraqitje të fortë:
“E di çfarë na pret, por unë jam trajner i Juventusit dhe dua intensitet maksimal.”
Gjatë pushimit të kombëtareve, tekniku italian punoi me një grup të reduktuar lojtarësh, por vlerësoi qëndrimin dhe përkushtimin e tyre në stërvitje.
Një lajm pozitiv për “Zonjën e Vjetër” është rikthimi i Edon Zhegrovës, i cili pas angazhimeve me Kombëtaren e Kosovës është gati të marrë minuta me fanellën bardhezi.
Spalletti nënvizoi se objektivi kryesor i skuadrës mbetet gjetja e stabilitetit taktik dhe ndërtimi i një baze të fortë loje, ku futbollistët të ndihen të sigurt dhe të organizuar.
Ai lavdëroi në veçanti Teun Koopmeiners, duke e cilësuar si lojtar me personalitet dhe lidership të madh, ndërsa vlerësoi edhe Kenan Yildiz, për të cilin tha se është futbollisti që “i ndez ritmet e ekipit” me cilësitë e tij teknike dhe energjinë në fushë.
Në fund, Spalletti tha se përballja me Fiorentinën është një nga transfertat më të vështira të kampionatit dhe kërkoi nga skuadra të tregojë karakter, qetësi dhe forcë grupi për të marrë rezultatin e dëshiruar.



