Stadiumi i Sunderland dridhet nga këndimi i tifozëve: “Ne kemi Granit Xhakën”
S

Stadiumi i Sunderland dridhet nga këndimi i tifozëve: “Ne kemi Granit Xhakën”

Momenti më emocional pas derbit Tyne-Wear u regjistrua pas vërshëllimës së fundit, kur tifozët e Sunderlandit shpërthyen në këngë duke brohoritur emrin e kapitenit të tyre, “Ne e kemi Granit Xhakën”.

Mesfushori 33-vjeçar u shndërrua në figurën kryesore të fitores minimale 1-0 ndaj Newcastle, e siguruar falë një autogoli të Nick Woltemade në pjesën e dytë.

Atmosfera në Stadiumin e Dritave ishte elektrizuese, ndërsa paraqitja luftarake e Xhakës u reflektua në çdo duel dhe ndërhyrje, duke ndezur entuziazmin e tifozëve vendas.

Kapiteni u shoqërua me ovacione të shumta pas përfundimit të takimit, në një mbrëmje që e mban Sunderlandin në zonën e sipërme të renditjes.

Pas ndeshjes, Xhaka ndau emocionet e tij dhe ia dedikoi fitoren tifozëve.

“Para së gjithash, kjo fitore u takon tifozëve tanë. Është një privilegj të jem pjesë e këtij klubi dhe të luaj në një derbi kaq të rëndësishëm. E ndjemë gjatë gjithë javës sa speciale ishte kjo ndeshje dhe donim t’u jepnim diçka tifozëve tanë. Jemi të lumtur për tri pikët dhe për shpirtin që treguam në fushë”, u shpreh ai.

Performanca e Xhakës mori vlerësime të mëdha edhe nga analistët sportivë, të cilët e cilësuan si një “luftëtar absolut” në mesfushë.

Ish-lojtari i Arsenalit dhe Bayer Leverkusen theksoi rëndësinë e veçantë të derbit dhe karakterin e treguar nga skuadra.

“Kam luajtur shumë derbi në karrierën time, por kjo javë ishte e veçantë. Derbit janë për t’u fituar. Nuk ishte ndeshja më e bukur, por karakteri që treguam ishte i jashtëzakonshëm. Jam krenar për ekipin”, deklaroi kapiteni.

Me këtë fitore të rëndësishme, Sunderland konfirmon formën pozitive, ndërsa Granit Xhaka dëshmon se përvoja, lidershipi dhe karakteri i tij janë thelbësore për skuadrën dhe tifozët. /AutoPortali

TË FUNDIT