Një prej teknologjive më të përdorura në botën e automobilizmit, sistemi Start & Stop, është drejt eliminimit pasi konsiderohet i tejkaluar dhe i padobishëm për makinat moderne.
Fillimisht, ky sistem u prezantua si një risi revolucionare që do të ulte ndjeshëm konsumin e karburantit, sidomos në qarkullimin urban, shkruan Reportmotori, transmeton AutoPortali.
Në fakt, në përdorim praktik ka sjellë një kursim mesatar prej rreth 26% në qytet dhe ka dhënë rezultate pozitive kryesisht tek makinat hibride.

Megjithatë, kompanitë po e braktisin gjithnjë e më shumë, duke e cilësuar si të panevojshëm dhe me pasoja negative afatgjata.
Problemi kryesor lidhet me konsumimin e parakohshëm të motorit dhe komponentëve mekanikë, pasi fikja dhe ndezja e vazhdueshme e motorit rrit rrezikun e dëmtimeve.
Kjo e ka bërë sistemin më pak tërheqës për prodhuesit, të cilët po orientohen drejt teknologjive më të avancuara për kursimin e karburantit dhe reduktimin e emetimeve.

Industria automobilistike, e cila tashmë po kalon një periudhë transformimi teknologjik të shpejtë, e sheh Start & Stop si një fazë të përkohshme që nuk i përgjigjet më kërkesave të sotme për performancë dhe qëndrueshmëri.
Në vend të tij, prodhuesit po investojnë në sisteme hibride dhe elektrike, të cilat ofrojnë efikasitet më të madh pa dëmtuar motorin. /AutoPortali



