Kur dukej se gjithçka ishte e humbur për sa i përket garës për titull, rikthimi i Max Verstappenit ka qenë thjesht fenomenal. Muajt shtator dhe tetor kanë rezultuar të jashtëzakonshëm për kampionin holandez, i cili ka grumbulluar 101 pikë në katër garat e fundit.
Gara e vetme që nuk është fituar nga Verstappen gjatë kësaj periudhe ka shkuar për George Rusellin e Mercedesit, i cili dominoi në Singapor. Aktualisht, Verstappen ndodhet vetëm 40 pikë larg Piastrit dhe 26 pikë pas Lando Norrisit. Rikthimi i tij filloi në Çmimin e Madh të Holandës, ku ndodhej 104 pikë prapa liderit, por që nga ai event, Max ka qenë piloti me më shumë pikë të fituara në pesë garat e fundit (119 nga 133 të mundshme). Brenda këtij intervali, ai ka shkatërruar konkurrencën: përfshirë dhe Sprintin në Austin, ka marrë katër “pole position”, katër fitore dhe një vend të dytë.
Ylli i Red Bullit është një garues i pamëshirshëm (në Austin arriti fitoren e tij të 68-të në F1), dhe për këtë arsye, sot është një kandidat serioz për titull, pavarësisht se ndodhet pas dyshes së McLarenit. Por fakti që ka rikuperuar 64 pikë ndaj Piastrit është një arritje që pak e kanë parashikuar.
“Mundësia është aty. Për ta realizuar, duhet të bëjmë gara si kjo çdo fundjavë deri në fund. Do të japim gjithçka që kemi”, deklaroi 28-vjeçari në Teksas. Verstappen ka realisht mundësinë të ndjekë hapat e legjendës Michael Schumacher, i cili fitoi 5 tituj radhazi me Ferrarin. Por ka një ndryshim të madh: holandezi mund ta fitojë titullin e pestë me një skuadër që aktualisht renditet e katërta në renditjen e konstruktorëve. McLaren ka dominuar me 678 pikë dhe është shpallur kampion që në Singapor në garën e konstruktorëve.

Pas saj vijnë ngushtë Mercedesi (341 pikë), Ferrari (334 pikë) dhe Red Bulli (331 pikë). Për të gjetur një kampion bote me një ekip kaq larg kreut, duhet të kthehemi pas në vitin 1982. Atë vit, Keke Rosberg fitoi titullin me Williamsin, edhe pse skuadra përfundoi pas Renaultit, McLarenit dhe kampionit të atëhershëm Ferrari. Kanë kaluar 43 vjet që nga ajo arritje.
Sot, Verstappen ka mundësinë ta përsërisë një histori të ngjashme. Edhe pse Red Bull mund të ngjitet më lart në renditje, një gjë është e sigurt: nëse fiton këtë kampionat, do ta ketë merituar si piloti më i mirë i sezonit dhe me një përmbysje të pabesueshme.




