Jeep Grand Cherokee, një nga SUV-t më të njohura familjare në SHBA, po tërhiqet nga tregu për shkak të një defekti në një komponent kyç të sigurisë.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Administrata Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada (NHTSA), kompania shumëkombëshe Stellantis që zotëron markat Chrysler, Dodge, Jeep dhe Ramka njoftuar një tërheqje për gjithsej 121,398 njësi të modeleve Jeep Grand Cherokee dhe Grand Cherokee L, të prodhuara në vitet 2023 dhe 2024.

Sipas AutoBlog, problemi lidhet me mbështetëset e kokës në rreshtin e dytë të sediljeve (headrest), të cilat për shkak të një defekti në mekanizmin e brendshëm të bllokimit, mund të mos qëndrojnë në pozicionin e ngritur.
Nëse ato nuk fiksohen siç duhet, mbeten të përthyera përpara, duke rritur rrezikun e lëndimeve për pasagjerët e pasëm në rast përplasjeje.
Ky defekt e vendos automjetin në shkelje të standardit federal të sigurisë FMVSS Nr. 202a S4.2.1, i cili kërkon që pjesa e sipërme e mbështetëses së kokës në çdo vend të jashtëm pasagjeri të ketë një lartësi jo më të vogël se 750 mm, pavarësisht pozicionit të rregullimit.
Komponenti defekt është prodhuar nga kompania Grammer Industries, Inc., me qendër në Plymouth Township, Michigan, transmeton AutoPortali.
Tërheqja përfshin:
- 78,157 njësi të modelit Jeep Grand Cherokee 2023–2024, të prodhuara midis 16 maj 2023 dhe 2 maj 2024.
- 43,241 njësi të modelit Jeep Grand Cherokee L 2023–2024, të prodhuara nga 16 maj 2023 deri më 30 janar 2024.



