Superliga e basketbollit rikthehet me derbin Prishtina-Trepça
S

Superliga e basketbollit rikthehet me derbin Prishtina-Trepça

Fundjava në Superligën e Kosovës në basketboll premton emocione të forta, pasi në program është java e shtatë e cila njëkohësisht mbyll rrethin e parë të garave të elitës.

Kryendeshja e kësaj jave do të luhet të dielën në kryeqytet, ku rivalët e përjetshëm Sigal Prishtina dhe Trepça do të përballen në një derbi që gjithmonë ka garantuar spektakël.

Prishtina hyn në këtë takim me bilanc 4 fitore dhe 2 humbje, ndërsa mitrovicasit kanë shënuar 3 fitore dhe 2 humbje, çka e rrit peshën dhe rëndësinë e këtij dueli mes dy skuadrave me traditën më të pasur në basketbollin kosovar.

Java e shtatë nis të shtunën me përballjen ndërmjet Rahoveci 029 dhe Golden Eagle Yllit.

Vreshtarët kanë arritur dy fitore deri tani, ndërsa therandasit po kalojnë një fillim të vështirë me vetëm një sukses në gjashtë ndeshje.

Në sfidën tjetër të së shtunës, GO+ Peja pret Vëllaznimin.

Pejanët po zhvillojnë një sezon mbresëlënës me 5 fitore dhe vetëm 1 humbje, ndërsa kuqezinjtë kanë një bilanc të zymtë prej vetëm një fitoreje në gjashtë ndeshje, duke e bërë këtë duel shumë të rëndësishëm për të dy ekipet.

Java mbyllet të dielën me ndeshjen Bora – Bashkimi.

Prishtinasit dolën nga seria prej katër humbjesh duke mposhtur Yllin javën e kaluar, ndërsa prizrenasit vazhdojnë të jenë skuadra e vetme e pamposhtur në kampionat, me 6 fitore në 6 ndeshje.

 

Superliga – Java 7

E shtunë:

17:00 – Rahoveci 029 vs. Golden Eagle Ylli

19:30 – GO+ Peja vs. Vëllaznimi

 

E diel:

17:00 – Sigal Prishtina vs. Trepça

20:15 – Bora vs. Bashkimi

TË FUNDIT