SUV-të amerikane mund të shiten së shpejti në Evropë dhe makinat evropiane në ShBA falë një kornize të re tregtare mes dy kontinenteve. Marrëveshja e mundshme parashikon njohjen reciproke të standardeve të sigurisë dhe emetimeve, duke hapur rrugën që një model i aprovuar në Paris të dalë në treg edhe në Peoria, pa ndryshime të kushtueshme teknike.
Autoblog shkruan se industria e automobilave e sheh këtë si hap përpara që mund të ulë miliona euro në kosto përputhshmërie, por kritikët paralajmërojnë se marrëveshja rrezikon të dobësojë standardet e sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit, transmeton AutoPortali.
Deri më tani, prodhuesit kanë qenë të detyruar të prodhojnë dy versione të ndryshme të së njëjtës makinë, modelet amerikane përshtaten për testet evropiane mbi mbrojtjen e këmbësorëve dhe kufijtë e rreptë të CO₂, ndërsa makinat evropiane që shiten në SHBA pajisen me parakolpe të ridizajnuara, përforcime shtesë dhe kalibrime të reja të emetimeve.
Por dy palët kanë filozofi të ndryshme. Evropa përqendrohet tek klima dhe mbrojtja e këmbësorëve, ndërsa SHBA tek siguria e pasagjerëve. Harmonizimi i standardeve mund të nënkuptojë kompromis dhe, sipas kritikëve, të lejojë hyrjen e SUV-ve gjigante amerikane në tregun evropian me mbikëqyrje më të dobët të emetimeve.
Debati bëhet më i nxehtë në sfondin e përpjekjeve të administratës Trump për të lehtësuar rregullat e ndotjes, një lëvizje që u justifikua fillimisht me kursime ekonomike, por që tashmë shihet si faktor që rrit koston e karburantit.
Situata në SHBA mbetet e fragmentuar, Kalifornia po reziston duke ruajtur objektivat ambicioze për ajër të pastër, ndërsa Evropa vazhdon të detyrojë prodhuesit të investojnë në elektrifikim për të ulur emetimet e CO₂.
Një studim i fundit i UCLA-s tregoi se edhe infrastruktura e makinave elektrike mund të krijojë ndotje disa karikues publikë çlirojnë më shumë grimca sesa vetë pikat e karburantit, për shkak të sistemeve të ftohjes me ventilatorë.
Ky shembull tregon se formulimi i rregullave bën diferencën mes qëllimeve të pastra dhe rezultateve të diskutueshme.
Përveç sigurisë dhe mjedisit, në lojë janë edhe tarifat. BE kërkon që SHBA të ulë tarifën për makinat evropiane nga 27,5% në 15%, ndërsa amerikanët kërkojnë më shumë akses për produktet e tyre në tregun evropian. Automjetet janë kthyer në mjet leverage në tryezën e bisedimeve.
Aktualisht bëhet fjalë vetëm për teori tregtare, jo ligj të miratuar. Por një marrëveshje e tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt tek modelet që do të shiten në vitin 2030 – jo vetëm përmes inxhinierisë, por edhe përmes kompromisit politik.
Në letër, standardet e përbashkëta SHBA–BE premtojnë ulje kostosh dhe më shumë zgjedhje për konsumatorin. Në praktikë, rreziku është dobësimi i mbrojtjes së sigurisë dhe cilësisë së mjedisit. Pyetja e vërtetë nuk është “a do të jetë më lirë?”, por “a do të jetë më mirë?”. /AutoPortali