Taksë e re për turistët në Mykonos dhe Santorini
T

Taksë e re për turistët në Mykonos dhe Santorini

Greqia po përgatit futjen e një tatimi të ri për anijet turistike, që do të nisë më 1 korrik 2025 dhe do të përqendrohet në ishujt e njohur Mykonos dhe Santorini, ku pritet të mbërrijnë mbi 1.5 milionë vizitorë gjatë vitit, transmeton AutoPortali.

Tatimi me vlerë 20 euro për pasagjer gjatë sezonit të lartë, ka për qëllim të reduktojë efektet negative të turizmit masiv, të mbrojë infrastrukturën e rënduar dhe të financojë projekte mjedisore afatgjata.

Kjo taksë është pjesë e strategjisë së qeverisë për të menaxhuar fluksin në rritje të anijeve turistike, të cilat po thyejnë rekorde në portet e Greqisë. Tatimi do të variojë në varësi të sezonit dhe portit të mbërritjes, duke synuar një shpërndarje më të balancuar të turizmit përgjatë vitit.

Sipas Sipas TravelAndTourWorld, për Mykonos dhe Santorini, gjatë sezonit të verës deri më 30 shtator, çdo pasagjer i anijes turistike do të paguajë 20 euro taksë. Në portet e tjera greke, kjo taksë do të jetë më e ulët dhe e ndryshueshme sipas sezonit, nga 1 deri në 5 euro për pasagjer.

Të ardhurat nga ky tatim do të shfrytëzohen për përmirësimin e infrastrukturës portuale, menaxhimin e mbeturinave, sistemet e ujit dhe energjisë, si dhe për ruajtjen e monumenteve historike që vuajnë nga fluksi turistik.

Megjithatë, autoritetet lokale të Mykonosit shprehin shqetësime se tatimi mund të ndikojë negativisht në ekonominë e ishullit, duke i bërë portet më pak tërheqëse për kompanitë e anijeve turistike, të cilat janë të shqetësuara për kostot në rritje.

Në përgjigje, porti i Mykonosit ka prezantuar një sistem dixhital për menaxhimin e ankorimit të anijeve, që synon të reduktojë ngarkesën dhe të përmirësojë eksperiencën e vizitorëve.

Qeveria greke, përmes këtij tatimi, po synon të ruajë ekuilibrin mes turizmit masiv dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore të ishujve, për të siguruar që ata të mbeten destinacione tërheqëse jo vetëm për turistët, por edhe për banorët e tyre. /AutoPortali

TË FUNDIT