Çmimet e veturave të reja në Shtetet e Bashkuara pritet të rriten ndjeshëm, ndërsa tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump po hyjnë në fuqi. Tani, me paralajmërimin për një tarifë të re prej 50% ndaj bakrit të importuar, industria e automjeteve mund të përballet me një goditje tjetër të madhe që mund t’i shtojë qindra deri në mijëra dollarë çmimit të secilës veturë të re.
Daily Telegraph/CNN shkruan se presidenti Trump ka shfaqur vazhdimisht fiksim ndaj tarifave, duke vendosur detyrime ndaj shumë mallrave të huaja, nga çeliku e alumini, te veturat dhe pjesët rezervë. “Sot po merremi me bakrin,” deklaroi ai gjatë një mbledhjeje të kabinetit të martën.
Dhe ashtu si tarifat e mëparshme, edhe kjo mund ta godasë drejtpërdrejt xhepin e blerësve. Pse? Sepse bakri është material thelbësor në ndërtimin e veturave moderne, përdoret në sistemet elektrike, motorët e dritareve dhe pasqyrave, radios, alternatorëve, ventilatorëve, por edhe në paketat e baterive të veturave elektrike, të cilat mund të përmbajnë kilometra tel bakri.
Tarifat e reja
Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar, Trump ka shpallur një varg tarifash të reja, disa prej të cilave i ka pezulluar përkohësisht, siç ndodhi të hënën kur shtyu në gusht aplikimin e tarifave të ashtuquajtura “reciproke”. Por tarifat ndaj çelikut, aluminit dhe veturave janë tashmë në fuqi: 25% për veturat dhe pjesët e tyre të huaja, 50% për aluminin dhe çelikun.
Sipas firmës AlixPartners, këto tarifa pritet të rrisin çmimin mesatar të një veture të re në SHBA deri në 2,000 dollarë. Edhe veturat e prodhuara brenda vendit preken, pasi shumica e tyre përdorin pjesë ose lëndë të para të importuara. Kjo ka detyruar shumë konsumatorë të mendojnë nëse duhet të blejnë një veturë të re, apo të kalojnë në tregun e veturave të përdorura.
Të martën, Trump paralajmëroi tarifa të reja specifike për sektorë të tjerë, përfshirë një tarifë të frikshme prej 200% për produktet farmaceutike. Bakri, nga ana tjetër, do të përballet me një tarifë 50%. Kjo është goditje për ekonominë në tërësi, pasi bakri është thelbësor në çdo pajisje elektrike e elektronike: nga televizorët dhe frigoriferët, te telefonat dhe veturat.
Bakri është gjithkund
Bakri është element bazë në shoqërinë moderne dhe një pjesë e madhe e tij importohet. Sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë, SHBA importoi bakër në vlerë prej 17 miliardë dollarësh vetëm në vitin 2023. Furnizuesi më i madh është Kili, që vetëm në vitin 2024 dërgoi 6 miliardë dollarë bakër në SHBA.
“Një veturë mesatare përmban disa qindra paund bakër,” tha Sam Abuelsamid, analist kryesor në Telemetry Research. “Është në kabllot elektrike, në lidhës, bateri, alternatorë – ka motorë gjithandej.”
Në veturat elektrike, përdorimi është edhe më i madh. Sipas kompanisë ElectraMet, një paketë baterie e veturës elektrike mund të përmbajë deri në 220 paund bakër.
Çmimet po shpërthejnë
“Jam i habitur që u desh kaq shumë kohë për të vendosur tarifën mbi bakrin,” deklaroi Ed Mills, analist i politikave në firmën Raymond James, në një intervistë për CNN. Dhe nuk është i vetmi. Çmimi i bakrit në bursat e mallrave është rritur me 38% këtë vit, dhe deklarata e presidentit të martën shkaktoi një rritje shtesë prej 15% brenda ditës. Në një moment, çmimi arriti në një rekord prej 5.66 dollarë për paund, përpara se të stabilizohej në 5.48 dollarë, sipas faqes Commodity.com.
Me këtë çmim, tarifa 50% do të thotë 2.74 dollarë më shumë për çdo paund. Dhe kjo është vetëm për metalin e papërpunuar – pa përfshirë kostot shtesë për përpunimin në tel, lidhës dhe komponente të tjera. Rritja e çmimit do të ndjejë menjëherë në veturat me paketë të madhe baterie – siç është kamioni elektrik Chevrolet Silverado EV – ku çmimi mund të rritet me mbi 1,000 dollarë.
E kombinuar me planin buxhetor të miratuar nga Kongresi javën e kaluar – që eliminon subvencionet aktuale për blerësit e veturave elektrike – kjo tarifë e re mund të largojë shumë konsumatorë nga tregu.
Nëse politika e tarifave vazhdon në këtë drejtim, konsumatorët amerikanë mund të përballen me çmime gjithnjë e më të larta – dhe industria e automobilave me një tronditje të re ekonomike./AutoPortali



