Edhe pse McLaren pati performancën më të mirë në ditën e parë të testimit në Bahrein, me kalimin e ditëve, ekipi anglez ua ka lënë vëmendjen rivalëve të tyre. Megjithatë, ata kanë grumbulluar një sasi të madhe të dhënash pa hasur as problemin më të vogël teknik, dhe kanë të gjitha mjetet për të përmirësuar performancën e tyre.
Për drejtorin e ekipit Andrea Stella, rivalët e Mercedes dhe Ferrari janë më lart: “Mbyllëm fazën e parë konstruktive dhe produktive të testimeve para sezonit në Bahrein, me një total prej 2,283 km të përshkuar nga Lando dhe Oscar gjatë tre ditëve të fundit. Është shumë inkurajuese të shohësh që kemi mësuar kaq shumë gjëra të rëndësishme”.
“Megjithatë, është ende e vështirë të përcaktohet saktësisht rendi i performances. Është e qartë se Mercedes dhe Ferrari janë aktualisht më konkurrues se ne. Kemi punë për të bërë për të përmirësuar performancën përpara testit të dytë ditët në vijim dhe garës së parë në Melburn“, komentoi Stella.
“Të dy pilotët dhanë të dhëna të vlefshme në çdo xhiro. Testet aerodinamike të kryera i ofrojnë ekipit informacion të vlefshëm, që do të luajë një rol të rëndësishëm në fazat e ardhshme të zhvillimit të makinës. Ka disa fusha në të cilat duhet të punojmë, por e lëmë testin e parë me një kuptim më të mirë të këtyre kërkesave“, tha Stella.



