Tërmeti godet zonat turistike në Spanjë, shembje në aeroport e kaos në transport
T

Tërmeti godet zonat turistike në Spanjë, shembje në aeroport e kaos në transport

Një tërmet me magnitudë 5.5 të shkallës rihter ka tronditur Spanjën jugore mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik, përfshirë shembjen e një pjese të çatisë së aeroportit në Almeria.

“Dëgjuam disa zhurma të njëpasnjëshme, pastaj një shpërthim të fuqishëm dhe u ngrit një re e madhe pluhuri,” ka rrëfyer për mediat lokale një punonjës i aeroportit. Ai përshkroi momentin si të frikshëm: “Ishim duke pirë kafen e parë të ditës. Për fat, askush nuk u lëndua.”

Lëkundjet janë ndjerë fuqishëm në zonat turistike të Costa del Sol dhe Alicante, ndërsa sipas gazetës El País, qytetet Granada, Malaga, Jaén, Murcia, Alicante dhe Albacete kanë qenë ndër më të prekurat nga tërmeti.

Në Huércal de Almería, një sallë ekspozite automjetesh ka pësuar dëme të konsiderueshme, transmeton AutoPortali.

Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pas stuhive të fuqishme dhe shirave të rrëmbyeshëm që sollën përmbytje dhe kaos në pjesën verilindore të vendit, duke goditur rrugë, biznese dhe kampe pushimi.

Autoritetet nuk kanë raportuar për viktima apo të lënduar, por paralajmërojnë për mundësinë e lëkundjeve pasuese.

TË FUNDIT