Tesla kundër Waymo, lufta për të ardhmen e taksive robotike
T

Tesla kundër Waymo, lufta për të ardhmen e taksive robotike

Tesla dhe Waymo po ndjekin strategji krejtësisht të ndryshme për të ndërtuar biznesin e taksive robotike, me pasoja të mëdha për industrinë e transportit autonom, që vlerësohet se mund të kthehet në një treg prej triliona dollarësh në 15 vitet e ardhshme.

Një muaj pasi Tesla nisi një shërbim pilot në Austin, CEO Elon Musk premtoi se taksitë autonome të kompanisë do të jenë të disponueshme për gjysmën e popullsisë amerikane deri në fund të këtij viti. Nga ana tjetër, Waymo lideri aktual në SHBA – ka mbi tetë vite që teston dhe sot mbulon vetëm 3% të popullsisë amerikane, raporton Reuters.

Dy qasje krejt të ndryshme

Tesla mbështetet në kamera dhe inteligjencë artificiale që imiton sjelljen njerëzore në rrugë, duke shmangur hartëzimet e detajuara dhe sensorët e kushtueshëm që përdor Waymo. Musk e quan qasjen e Waymo-s “të brishtë” dhe me kapacitet të kufizuar zgjerimi, ndërsa Tesla synon rritje “hiper-eksponeciale”. Waymo, në të kundërt, e sheh hartëzimin dhe testimin gradual si të domosdoshëm për sigurinë.

Investitorët dhe tregu

Shumica e vlerës së aksioneve të Teslës lidhet me pritshmëritë për drejtimin autonom. Analistët thonë se nëse Tesla arrin të zgjerohet shpejt, robotaksitë mund të kthehen në motorin e ri të rritjes së kompanisë. Por skeptikët paralajmërojnë se software-i i Teslës mund të mos jetë gati para vitit 2028, ndërkohë që Waymo, pavarësisht humbjeve prej mbi 1 miliard dollarësh në vit, pritet të arrijë fitimshmëri pasi kostoja e mjeteve të ulet.

Sfida të përbashkëta

Të dy kompanitë përballen me probleme sigurie dhe pengesa rregullatore. Në Austin, automjetet e Waymo kanë shkaktuar shqetësime tek policia dhe autoritetet lokale për sjellje të rrezikshme në rrugë. Tesla, ndonëse ka pak eksperiencë ende, është kritikuar për mungesë të angazhimit me komunitetet lokale.

Ndërsa Waymo zgjedh zgjerimin e ngadaltë e të kujdesshëm, Tesla po luan me shpejtësinë dhe shkallën e rritjes. Për momentin, industria po pret të shohë se cila qasje do të mbizotërojë: ajo e kujdesit maksimal për sigurinë, apo e riskut të lartë me synim fitime të shpejta. /AutoPortali

TË FUNDIT