Tesla pritet të nisë gjatë këtij viti prodhimin masiv të kamionit elektrik Semi dhe të fillojë dërgesat për klientët, ka konfirmuar shefi ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk.
Ky zhvillim vjen gati një dekadë pasi modeli u prezantua për herë të parë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për ambiciet e Teslës në segmentin e transportit të rëndë elektrik.
Versioni final i Tesla Semi do të ofrohet në dy variante: Standard Range dhe Long Range.
Të dyja konfigurimet mbështesin një peshë totale deri në rreth 37 ton dhe janë të pajisura me tre motorë elektrikë që prodhojnë një fuqi të kombinuar prej 800 kW, ose rreth 1,072 kuaj fuqi.
Sa i përket autonomisë, varianti Standard Range premton deri në 325 milje (rreth 523 kilometra) me ngarkesë të plotë, ndërsa versioni Long Range mund të arrijë deri në 500 milje (afërsisht 805 kilometra) me një karikim të vetëm. Konsumi i energjisë është deklaruar në 1.7 kWh për milje, çka synon ta bëjë kamionin konkurrues në aspektin e efikasitetit operacional.
Tesla thekson gjithashtu se Semi do të mbështesë karikimin e shpejtë përmes sistemit të saj Megawatt Charging System (MCS), i cili mundëson arritjen e 60% të kapacitetit të baterisë brenda rreth 30 minutash, duke reduktuar ndjeshëm kohën e ndalesave gjatë transportit në distanca të gjata.
Prodhimi i kufizuar i modelit ka nisur që në fund të vitit 2022, me PepsiCo si një nga klientët e parë që ka vendosur në përdorim disa njësi.
Më pas, edhe kompani të mëdha si Walmart dhe DHL kanë konfirmuar porositë e tyre, duke treguar interes në rritje për elektrifikimin e flotave të transportit.
Megjithatë, Tesla ende nuk ka bërë publike çmimet përfundimtare të kamionit Semi.
Analistët presin që ato të jenë më të larta krahasuar me premtimet fillestare të bëra në prezantimin e vitit 2017, për shkak të rritjes së kostove të prodhimit dhe zhvillimit teknologjik gjatë viteve të fundit. /AutoPortali



