Tesla është detyruar të rikthejë levat tradicionale të sinjalizimit në Model 3 për tregun kinez, pas pakënaqësive të shumta nga klientët. Versioni “Highland” i prezantuar në vitin 2023 erdhi pa levat klasike, të cilat u zëvendësuan me butona në timon, por reagimi negativ i konsumatorëve në tregun më të madh të makinave të reja në botë ka detyruar kompaninë të ndryshojë kurs.
Sipas AutoBlog, konfiguratori online i Teslës për Kinën tani i tregon levat e sinjalizimit si pajisje standarde, transmeton AutoPortali.
Përveç kësaj, kompania planifikon të ofrojë nga shtatori një paketë opsionale të quajtur “Model 3 Steering Wheel Turn Signal Lever Modification”, me çmim 2,499 juan (rreth 349 dollarë amerikanë), e cila do të instalohet në qendrat e shërbimit Tesla.
Kjo lëvizje vjen pas një tradite të kompanisë për të hequr sa më shumë komanda fizike në makinat e saj. Që prej lançimit të Model S në vitin 2012, Tesla ka synuar një dizajn minimalist, duke grumbulluar shumicën e komandave në ekranin qendror.
Në përditësimin e vitit 2021, Model S dhe Model X humbën gjithashtu levat e kontrollit, duke i zëvendësuar me një timon të pazakontë në formë “yoke”, ndërsa më vonë Model 3 pësoi të njëjtën fatkeqësi me versionin Highland.
Shumë pronarë, të pakënaqur, i kanë rikthyer levat përmes pjesëve të tregut të dytë, përfshirë edhe kompaninë Enhance Auto që i shet si aksesorë.

Model Y, në përditësimin “Juniper”, i ka ruajtur levat e sinjalizimit, dhe sipas raportimeve, ato pjesë më të holla pritet të përdoren edhe për modifikimet në Model 3 në tregun kinez.
Megjithatë, Tesla ka njoftuar se ky opsion do të vlejë fillimisht vetëm për makinat e prodhuara pas 7 shkurtit 2025, ndërsa po shqyrton mundësinë e përshtatjes edhe për versionet e tjera. Nuk dihet ende nëse ky ndryshim do të ofrohet edhe në Shtetet e Bashkuara.
Kompania përballet me presion gjithnjë e më të madh për t’iu përshtatur kërkesave të klientëve, sidomos në një periudhë ku shitjet kanë pësuar rënie përballë konkurrencës së shtuar. Cybertruck nuk ka arritur pritjet pas jehonës fillestare, ndërsa edhe Model Y Juniper nuk ka ngjallur shumë interes, pavarësisht varianteve të reja të përshtatura për tregun kinez.
Ndërkohë, CEO Elon Musk përballet me kritika për ndikimin negativ që ka pasur përfshirja e tij në administratën Trump, me pasoja që përfshijnë uljen e subvencioneve federale për automjetet elektrike, vendosjen e tarifave të reja dhe mungesën e zbatimit të rregullave të emisioneve.
Krahas kësaj, projekte anësore si “Robotaxi” dhe restorantet me tematikë futuriste nuk po shihen si zëvendësim serioz për një linjë produktesh më konkurruese. /AutoPortali



