Tesla-s i kërkohet të shtyjë nisjen e robotaksive në Austin të Teksasit
T

Tesla-s i kërkohet të shtyjë nisjen e robotaksive në Austin të Teksasit

Kompania Tesla Inc u kërkua të mërkurën të shtyjë planet për të filluar shërbimin e robotaksive në Austin të Teksasit, nga një grup ligjvënësish demokratë të këtij shteti, për shkak të një ligji të ri mbi drejtimin autonom.

Në një letër drejtuar Eddie Gates, drejtor për kontrollin e cilësisë në terren në Tesla, shtatë përfaqësues i kërkuan kompanisë ta vonojë nisjen e shërbimit të robotaksive deri sa të hyjë në fuqi ligji i ri, që pritet të hyjë në fuqi gjatë shtatorit.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv Elon Musk ka thënë se shërbimi do të nisë provizorisht të dielën, më 22 qershor, me rreth 10 automjete që do të operojnë në zona të caktuara të Austin-it.

Në letër, ligjvënësit demokratë theksojnë se ligji i ri për automjetet autonome parashikon më shumë kërkesa për siguri në industri dhe se, nëse Tesla zgjedh të nisë shërbimin më 22 qershor, atëherë duhet të ofrojë informacione të detajuara se si planifikon të përmbushë dispozitat e reja ligjore.

“Si anëtarë të delegacionit të Austin-it në Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të Teksasit, po i kërkojmë zyrtarisht Tesla-s që të shtyjë operimin e robotaksive autonome deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri më 1 shtator 2025”, thuhej në letër.

“Besojmë se kjo është në interesin më të mirë të sigurisë publike dhe ndërtimit të besimit të publikut në operacionet e Tesla-s.”

Megjithatë, sipas Investing, nuk është e qartë sa ndikim ka kjo kërkesë, pasi republikanët mbajnë shumicën në të dyja dhomat legjislative të Teksasit.

Ligji aktual në Teksas u lejon automjeteve robotaksi të operojnë kudo në shtet, për sa kohë që përmbushin kërkesat bazë të regjistrimit dhe sigurimit.

Por ligji i ri, i miratuar muajin e kaluar nga ligjvënësit e Teksasit, kërkon që operatorët e robotaksive të marrin autorizim të drejtpërdrejtë nga Departamenti i Automjeteve Motorike, si dhe përfshin më shumë masa për sigurinë. Ky projektligj ende nuk është nënshkruar nga guvernatori dhe pritet të hyjë në fuqi nga shtatori.

Musk e ka paraqitur teknologjinë autonome si një nga shtyllat kryesore të së ardhmes së Tesla-s, dhe lansimi në Austin pritet të shërbejë si një test i rëndësishëm për ambiciet e kompanisë në fushën e automjeteve elektrike dhe drejtimit autonom. /AutoPortali

TË FUNDIT