TIA shënon rritje të trafikut ajror, mbi 1.1 milion pasagjerë në qershor
T

TIA shënon rritje të trafikut ajror, mbi 1.1 milion pasagjerë në qershor

Trafiku ajror në Shqipëri vijon të shënojë rritje të qëndrueshme, me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) që ka regjistruar një fluks të lartë udhëtarësh dhe fluturimesh gjatë muajit qershor 2025.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga TIA, gjatë muajit të kaluar janë regjistruar 1,147,866 pasagjerë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me muajin maj.

Në të njëjtën periudhë janë kryer 6,830 fluturime, që kanë lidhur Tiranën me 103 destinacione në 31 shtete, përmes 27 linjave ajrore që operojnë aktualisht në aeroport, transmeton AutoPortali.

Qytetet italiane dhe britanike vijojnë të jenë më të kërkuarat, me Milanon, Londrën, Romën, Bolonjën dhe Venecian që kryesojnë listën e destinacioneve më të frekuentuara nga udhëtarët.

TIA ka shtuar edhe linja të reja direkte në periudhën prill–qershor, duke forcuar më tej rrjetin e saj ajror. Nantes dhe Bordeaux në Francë, Larnaca në Qipro, si dhe Málaga dhe Malta janë disa nga destinacionet e reja të ofruara për pasagjerët.

Në prag të sezonit turistik, aeroporti është përgatitur për përballimin e fluksit të udhëtimeve, si nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë, ashtu edhe nga pushuesit shqiptarë që udhëtojnë jashtë vendit. TIA thekson se pritet tejkalimi i shifrave të vitit të kaluar, duke e renditur veten ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë të trafikut në rajon në dy vitet e fundit.

Aeroporti i Tiranës mbetet i përkushtuar për zgjerimin e lidhjeve rajonale dhe përmirësimin e vazhdueshëm të përvojës së udhëtarëve. /AutoPortali

TË FUNDIT