Grupi “Tifozat Kuq e Zi” (TKZ), ka reaguar ashpër ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke dënuar vendimet e fundit të saj dhe duke shpallur bojkotin e ndeshjes që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në shtator kundër Letonisë, në stadiumin “Air Albania”.
Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetet sociale dhe mediat online, TKZ shprehen se janë thellësisht të zhgënjyer nga sjellja përjashtuese e Federatës ndaj tyre dhe tifozërisë shqiptare në përgjithësi.
Sipas tyre, përjashtimi i grupeve të organizuara të tifozëve nga aktivitetet e Kombëtares, si dhe bashkëorganizimi i Kampionatit Evropian U21 me Serbinë, janë vendime të papranueshme dhe fyese për ndjenjën kombëtare, transmeton Autoportali.
“Përjashtimi i tifozëve nga aktivitetet e Kombëtares është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj frymës që për vite të tëra ka mbështetur me pasion këtë ekip. Po ashtu, organizimi i një aktiviteti kaq të rëndësishëm bashkë me Serbinë, një shtet që nuk ka asnjë lidhje historike apo politike me kauzën tonë, është i turpshëm dhe kërkon përgjigje,” thuhet në deklaratë.
Por më shqetësues për TKZ është heshtja e lojtarëve të Kombëtares përballë kësaj situate.
Sipas tyre, mungesa e reagimit të futbollistëve është një tregues zhgënjyes që dëshmon largësinë gjithnjë e më të madhe mes tyre dhe tifozëve.
“Edhe më shqetësuese është heshtja e turpshme e lojtarëve të Kombëtares. Nuk presim të na duartrokasin. Por të paktën të mos harrojnë kush i ka ndjekur në çdo cep të Europës. Kush i ka ngritur kur janë rrëzuar. Kush ka derdhur zë dhe pasion për ta, pa pagesë, pa sponsorë, pa interesa. Sot, kur padrejtësia është e hapur, ata zgjedhin të heshtin dhe t’i shërbejnë qorrazi një federate që përjashton popullin nga Kombëtarja e vet…”
TKZ bën thirrje për reflektim dhe transparencë nga ana e Federatës, si dhe kërkon që Kombëtarja të mos shndërrohet në pronë të interesave të ngushta, por të mbetet përfaqësuese e gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. /AutoPortali
Postimi i plotë:




