Shefi i Mercedesit, Toto Wolff, ka hedhur poshtë mundësinë që Max Verstappen t’i rrëmbejë titullin e kampionit ndonjërit prej pilotëve të McLarenit, Lando Norris apo Oscar Piastri. Austriaku beson se diferenca prej 49 pikësh me liderin e renditjes, Norrisin, është shumë e vështirë për t’u rikuperuar nëse ritmi i garave mbetet i njëjtë me atë të javëve të fundit. Verstappen pati një fillim të vështirë fundjave në Brazil, por në fund doli i treti.
“Kurrë nuk duhet ta nënvlerësosh Max-in, edhe nëse niset i fundit. Vitin e kaluar ishte një garë me shi, kështu që mund ta imagjinosh, por këtë herë ishte në kushte të thata. Kjo është arsyeja pse ai është katër herë kampion bote”, deklaroi austriaku pas garës në Sao Paulo. Pavarësisht paraqitjes së jashtëzakonshme të Verstappenit, “shefi” i Mercedesit mendon se diferenca prej 49 pikësh që Norris krijoi në Brazil është pothuajse e pamundur të përmbyset.
“Ai ‘tren’ tashmë ka kaluar. Mendoj se duhet t’i lëmë të garojnë lirshëm, pa u përplasur, por avantazhi që Lando ka tani është shumë, shumë solid”, u shpreh Wolff, duke shtuar megjithatë se një tërheqje e britanikut “do ta ndryshonte plotësisht drejtimin e ngjarjeve”. Toto Wolff pati gjithashtu fjalë vlerësimi për skuadrën McLaren. Fillimisht për liderin aktual të kampionatit, Lando Norris:
“Ka qenë mbresëlënës në garat e fundit, mënyra si ka ruajtur qetësinë dhe si ka mbledhur pikët ka qenë shembullore”.

Ai vlerësoi edhe mënyrën se si ekipi po menaxhon garën e brendshme mes dy pilotëve të tij: “Është normale që situata të bëhet më e tensionuar, por si drejtor skuadre duhet të mbash kontrollin dhe të mos lejosh ndikime të jashtme. Mënyra si po e menaxhojnë ata është shumë e mirë, duke i lejuar të garojnë lirshëm. Nuk shoh ndonjë rrezik që të dëmtojnë njëri-tjetrin”, përfundoi Wolff.



