Toto Wolff, shefi i Mercedesit, ka folur për pilotin e Ferrarit, Lewis Hamilton.
Ferrari dhe Lewis Hamilton nuk patën një fundjavë të mirë në Hungari, pasi shtatë herë kampioni i Formula 1 mbeti një xhiro prapa kryesuesve dhe e përfundoi garën në pozitën e 12-të, që është rezultati më i dobët në karrierën e tij.
Hamilton tha përmes radios së ekipit se ishte “i padobishëm” dhe sugjeroi që Ferrari duhet të gjejë një pilot tjetër.
“Jam i padobishëm, absolutisht i padobishëm. Ekipi nuk ka problem, mund ta shihni makinën në pole position. Ata ndoshta duhet të ndërrojnë pilotin”, tha Hamilton për “Sky Sport”.
Toto Wolff, njeriu i parë i Mercedesit (skuadra për të cilën Lewis garoi për shumë vite), e mbështeti publikisht.
“Ai ishte emocional dhe plotësisht i sinqertë. Të gjitha iu grumbulluan pas garës, ndaj reagoi në atë mënyrë dhe madje dyshoi në veten. Kemi pasur situata të ngjashme edhe në të kaluarën, kur ai garonte nën pritshmëritë e tij dhe kjo e prekte. Gjithmonë ka qenë emocionalisht i hapur, që nga fëmijëria e deri si i rritur. Prandaj do ta fajësojë veten. Lewis Hamilton është GOAT (më i miri i të gjitha kohërave), ai është më i miri ndonjëherë dhe askush nuk mund t’ia marrë këtë. Sigurisht jo pas një gare që nuk shkoi sipas planit. Duhet ta mbani mend: ai është më i madhi i të gjitha kohërave. Lewis ende ka shumë për të dhënë në Formula 1 dhe shpresoj të qëndrojë në kampionat edhe për shumë vite”, tha Toto Wolff.

Britaniku e përfundoi pjesën e parë të sezonit me 109 pikë dhe aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në renditjen e përgjithshme.
Ai nuk ka fituar asnjë garë këtë sezon, gjë që padyshim e frustron. Dhe jo vetëm që nuk ka fituar, por as nuk ka qenë ndonjëherë në podium.
Pozicioni më i mirë i tij këtë sezon ka qenë vendi i 4-t, të cilin e arriti në Imola, Silverstone dhe në Austri, ndërsa Hungaroring është rezultati më i dobët, pasi përfundoi i 12-ti në Hungari.




