Drejtuesit e Toyota-s dhe M-Sport Ford besojnë se veturat Rally1 do të vazhdojnë të kenë epërsi ndaj atyre Rally2 në Kampionatin Botëror të Rally-t (WRC) në vitin 2027, pavarësisht zvogëlimit të dallimit në performancë.
Sipas propozimit të ri të Komisionit të WRC-së, nga viti 2027 vetëm veturat Rally1 do të mund të luftojnë për titullin e përgjithshëm, ndërsa kategoritë WRC1, WRC2 dhe WRC3 do të kenë klasifikime dhe pikëzim të ndarë.
Drejtuesi i Toyota-s, Jari-Matti Latvala, beson se Rally1 do të jetë më e shpejtë, kryesisht falë performancës së veturave dhe nivelit më të lartë të pilotëve.
Edhe Richard Millener nga M-Sport pajtohet me këtë vlerësim, megjithëse pranon se në disa gara, si Rally Suedia, kushtet e borës mund t’u japin përparësi veturave Rally2.
Millener thekson se ndryshimi synon ta bëjë kampionatin më të qartë dhe të motivojë prodhuesit e rinj të investojnë në zhvillimin e veturave Rally1.

Ai pret që në vitin 2027 numri i veturave Rally1 të rritet në 15 deri në 20, duke përfshirë potencialisht edhe prodhues si Skoda dhe Lancia.
Sipas tij, më shumë vetura konkurruese dhe më shumë prodhues do ta bëjnë WRC-në edhe më interesante.
Propozimi pritet të votohet nga FIA dhe, nëse miratohet, do të hyjë në fuqi nga sezoni 2027.



