Toyota tërheq 69,000 makina për një defekt që rrit rrezikun e aksidenteve
T

Toyota tërheq 69,000 makina për një defekt që rrit rrezikun e aksidenteve

Prodhuesi legjendar japonez, Toyota po tërheq 69,000 makina për shkak të një defekti në ekranin e brendshëm, që rrit rrezikun për aksident.

Sipas The Sun, tërheqja përfshin modele të njohura sedan, hatchback dhe SUV, përfshirë disa nga modelet hibride më të shitura në Australi, transmeton AutoPortali.

Makina të shitur midis korrikut 2022 dhe prillit 2025 janë të prekura, por jo të gjitha në këtë periudhë kanë defekt.

Në listë janë modelet Corolla dhe Camry hibride, Kluger Hybrid dhe RAV4 Hybrid.

Toyota njofton se ekrani 12.3 inç në panelin e instrumenteve mund të mbetet bosh kur ndizet makina dhe të mos shfaqë asnjë informacion.

Ky ekran është thelbësor, pasi tregon paralajmërimet, dritat e sinjalizimit, matësit dhe mesazhet e rëndësishme.

Njoftimi paralajmëron se “ngasja pa shpejtësimetrin dhe paralajmërimet e nevojshme rrit rrezikun për aksidente në kushte të caktuara.”

Për të rregulluar defektin kërkohet përditësim softueri, që zgjat nga 1 deri në 2.5 orë, varësisht nga modeli.

Shitësit e autorizuar Toyota do ta bëjnë këtë përditësim falas për pronarët e makinave të prekura.

Kompania do t’i kontaktojë pronarët me detaje për fushatën e tërheqjes.

Edhe pse makinat mund të përdoren, shoferët këshillohen të kontaktojnë servisën menjëherë për të shmangur rreziqet.

Së fundmi, Toyota ka prezantuar modelet e reja për 2025, duke vënë theksin te sukseset hibride si RAV4 plug-in dhe Aygo X hibrid.

Gjigandi japonez po përgatit gjithashtu versionin hibrid të Land Cruiser elektrik dhe planifikon të nxjerrë GR Corolla-n, që brenda 18 muajsh do të bashkohet me GR Yaris-in në rrugët britanike, duke pasur pritje të gjata. /AutoPortali

TË FUNDIT