Tregu evropian i makinave shënon rritje, udhëheq Gjermania
T

Tregu evropian i makinave shënon rritje, udhëheq Gjermania

Shitjet e makinave të reja në Evropë u rritën me 5.9% në korrik, të nxitura kryesisht nga tregu gjerman, ndërsa rëniet në Britani, Francë dhe Itali nuk arritën ta përmbysnin trendin.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve Evropianë të Automjeteve (ACEA), Tesla humbi për të shtatën muaj radhazi pjesë tregu, edhe pse shitjet e përgjithshme të makinave elektrike u rritën.

Në anën tjetër, rivali kinez BYD u përfshi për herë të parë në statistikat mujore dhe e kaloi Teslën në tregun evropian, raporton Reuters.

Prodhuesit evropianë, përfshirë Volkswagen dhe Renault, po testojnë modele të reja për të përballuar konkurrencën kineze në tregun në rritje të automjeteve elektrike dhe për të përmbushur rregulloret e BE-së për uljen e ndotjes.

Ndërkohë, drejtuesit e industrisë kanë paralajmëruar se objektivi i Brukselit për uljen 100% të emetimeve nga makinat deri më 2035 nuk është i realizueshëm.

Në total, në BE, Britani dhe EFTA u shitën 1.09 milion automjete në korrik. Volkswagen dhe Renault shënuan rritje prej 11.6% dhe 8.8%, ndërsa Stellantis ra me 1.1%.

Tesla regjistroi një rënie drastike prej 40.2%, duke e ulur pjesën e tregut nga 1.4% në 0.8% brenda një viti. Ndërkohë, BYD shënoi rritje të fortë me 225.3%, duke zënë 1.2% të tregut.

Shitjet e përgjithshme të makinave në BE u rritën me 7.4%. Automjetet elektrike, hibride dhe plug-in u rritën me 39.1%, 56.9% dhe 14.3%, duke përbërë gati 60% të regjistrimeve të reja, nga 51.1% që ishin në korrik 2024.

Nga tregjet kryesore, Gjermania u rrit me 11.1%, ndërsa Britania, Franca dhe Italia ranë respektivisht me 5%, 7.7% dhe 5.1%. Rritje të forta u regjistruan në Spanjë (+17.1%), Poloni (+16.5%) dhe Austri (+31.6%). /AutoPortali

TË FUNDIT