Turizmi i natës po merr kuptim të ri dhe pritet të dominojë skenën e udhëtimeve në vitin 2025. Fenomeni i quajtur “noctourism” dëshira për të shmangur turmat e ditës dhe për të përjetuar “magjinë e mesnatës” është shpallur si një nga prirjet kryesore të vitit të ardhshëm nga Booking.
Sipas të dhënave të këtij portali, rreth 62% e udhëtarëve janë të interesuar për destinacione me qiell të errët, ku mund të shijojnë përvoja si “banja me yje” (72%), udhëtime me guida yjësish (59%), ndjekje të ngjarjeve kozmike unike (59%) dhe vëzhgim të konstelacioneve (57%).
Ky trend mori hov këtë vit, kur njerëzit shpenzuan shumë për dhoma hoteli të veçanta dhe fluturime private për të parë eklipsin diellor.
Por në vitin 2025, pritet që popullariteti të rritet edhe më shumë për udhëtime drejt Dritave të Veriut, kërkime tartufesh apo piknike nën yje pranë detit, shkruan Nypost, transmeton AutoPortali.

“Noctourizmi do të transformojë mënyrën se si udhëtojmë, pasi gjithnjë e më shumë ‘bufë nate’ kërkojnë përvoja unike pas perëndimit të diellit”, deklaroi për CNBC drejtori ekzekutiv i Booking.com, Jay Stevens.
Për më tepër, 54% e udhëtarëve janë të gatshëm të organizojnë udhëtime në zona pa ndriçim artificial, për të reduktuar ndotjen e dritës dhe për të mbrojtur mjedisin. Ankthi ndaj ndryshimeve klimatike është një tjetër shtysë: 54% duan t’i shmangin temperaturat e larta gjatë ditës dhe 42% preferojnë të pushojnë në vende më të freskëta.
Rreth 61% synojnë të reduktojnë kohën që kalojnë nën rrezet e diellit, ndërsa 57% planifikojnë aktivitetet në mbrëmje dhe mëngjese të hershme për të shmangur nxehtësinë.
“Në vend që të tërhiqen, shumë udhëtarë duan ta rizbulojnë botën në mënyra të reja dhe ndryshe,” thuhet në raportin vjetor të Booking.com mbi parashikimet e udhëtimeve.

Një shembull konkret është rritja e interesimit për qytetin Tromsø në Norvegji, një nga destinacionet më të njohura për të parë Dritat e Veriut dhe për vëzhgimin e balenave. Rezervimet në këtë qytet janë dyfishuar në tre muajt e fundit deri në fund të tetorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe disa linja ajrore kanë shtuar fluturimet drejt kësaj zone të largët.
“Kemi parë një dëshirë në rritje për destinacione të veçanta si Tromsø, ku udhëtarët janë të etur për përvoja të reja dhe të paharrueshme,” tha për The Independent Ryan Pearson, menaxher rajonal i Booking.com për Britaninë dhe Irlandën.
Turizmi në Norvegji po lulëzon falë përkushtimit të vendit për të promovuar mrekullitë natyrore dhe rritjes së fluturimeve të qasshme nga e gjithë Europa, sidomos drejt Tromsøs.
Ndërkohë, shqetësimi për klimën dhe interesimi për ambientin po i shtyn njerëzit drejt “coolcations” pushime në vende të freskëta – një trend që shpesh ndërthuret me “noctourism”. /AutoPortali


                                    

