Turqia me më pak vizitorë, por me më shumë të ardhura nga turizmi
T

Turqia me më pak vizitorë, por me më shumë të ardhura nga turizmi

Turqia ka pritur 28.4 milionë turistë të huaj nga janari deri në korrik të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, çka përbën një rënie prej 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, të ardhurat nga turizmi kanë shënuar rritje.

Sipas Hispanatolia, duke përfshirë edhe shtetasit turq që jetojnë jashtë vendit, numri i përgjithshëm i vizitorëve ka arritur në 33.36 milionë, por sërish larg objektivit të qeverisë për këtë vit: 65 milionë vizitorë dhe 60 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi.

Në gjashtëmujorin e parë, të ardhurat nga turizmi u rritën me 7.6% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 25.8 miliardë dollarë.

Ekspertët e industrisë e lidhin këtë me faktin që turistët po shpenzojnë më shumë, pasi mesatarisht një vizitor harxhoi 996 dollarë, nga 942 dollarë sa ishte vitin e kaluar.

Sa i përket tregjeve kryesore, në periudhën janar–korrik Turqia priti 3.56 milionë rusë (12.56% e totalit), megjithëse pak më pak se vitin e kaluar. Pas tyre renditen gjermanët me 3.4 milionë vizitorë dhe britanikët me 2.35 milionë.

Ndërkohë, vizitat nga Irani dhe Bullgaria pësuan rënie përkatësisht me 8% dhe 9%, duke zbritur në 1.6 milionë dhe 1.48 milionë turistë.

Stambolli dhe Antalia, destinacionet më të vizituara

Stambolli kryeson si destinacioni më i vizituar, me 10.51 milionë turistë (37.1% e totalit). Antalia renditet e dyta me 8.4 milionë vizitorë (29.5%), falë resorteve luksoze dhe plazheve të njohura.

Në vend të tretë është Edirne me 2.56 milionë turistë, kryesisht bullgarë që shkojnë për blerje. Më pas vijnë Muğla në bregdetin e Egjeut me 1.83 milionë vizitorë, përfshirë destinacionet Bodrum dhe Marmaris, si dhe Izmiri me rreth 900 mijë turistë. /AutoPortali

TË FUNDIT