Madrid po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, duke u shndërruar në një prej qyteteve më të dashura për pushime në Spanjë.
Kara Godfrey, zëvendësredaktore e udhëtimeve në gazetën britanike The Sun, së fundmi e ka vizituar kryeqytetin spanjoll dhe e quan atë “destinacionin tim të ri të preferuar në Spanjë”.
“Ndryshe nga qytetet më të ngarkuara turistike, Madridi më dha ndjesinë e një vendi të jetueshëm, me skena të mrekullueshme ushqimi dhe pijesh,” tha Godfrey.
Ajo rekomandon një ndalesë në Pez, një lokal i njohur për porcionet gjigante të tortiljeve spanjolle, shoqëruar me një gotë birrë të vogël apo një tinto de verano – dhe e gjitha kjo për vetëm 2.5 euro.
Për një eksperiencë më luksoze, El Cielo de Montera, një rooftop bar elegant, ofron pamje mahnitëse të qytetit dhe kokteje si Aperol Spritz për rreth 10 euro.
Ndërsa për të apasionuarit pas muzikës live, Sala Equi është kthyer nga një kinema për filma për të rritur, në një bar dhe sallë koncertesh shumë të popullarizuar.
Vizitorët nuk duhet ta humbasin Muzeun Prado, i cili ofron hyrje falas pas orës 18:00. Madridi, i njohur si një prej qyteteve më të përshtatshme për ecje në Evropë, ka edhe një sistem metroje që sipas Godfrey, e bën lëvizjen jashtëzakonisht të lehtë.
Pikat kryesore që duhen vizituar:
Në listën e vendeve që nuk duhen humbur është Parque del Retiro, parku që për vendasit shërben si “plazhi i qytetit”. Plaza Mayor, Pallati Mbretëror dhe tregu El Rastro – më i madhi në Evropë – janë po ashtu pika të rëndësishme.
Perlë të fshehura:
Për një piknik, Casa de Campo është vendi ideal. Ndërkohë, rrethina Lavapiés ofron një miks energjie, historie dhe arkitekture unike.
Pamja më e bukur e qytetit:
Sky Bar në katin e 27-të të hotelit Riu Plaza España, me një urë prej xhami për më guximtarët, ofron 360 gradë pamje mbi Madridin, sidomos gjatë perëndimit të diellit.
Për adhuruesit e ushqimit:
Mercado San Miguel është vendi i duhur për specialitete gastronomike spanjolle, ndërsa për churros të famshëm rekomandohet Chocolateria San Gines. Për tapas, La Casa del Abuelo dhe Casa Toni janë zgjedhje të sigurta.
Jeta e natës:
Për kërcim dhe kokteje të lira, Calle 365 Discoteca është ndalesa ideale. Për diçka më misterioze, La Santoria, një bar speakeasy me hyrje të fshehtë, ofron një atmosferë të veçantë.
Ku të qëndroni:
H10 Puerta de Alcalá, vetëm 100 metra larg Parque del Retiro, ofron një pishinë rooftop dhe pamje të mrekullueshme të qytetit.
Paketa dy-netëshe me fluturim nga Heathrow fillon nga 321 funte për person.



